Ekspertët paralajmërojnë se, ndonëse largimi nga rrjetet sociale i lë hapësirë dezinformimit, qëndrimi aty kërkon kompromise etike dhe reziliencë strategjike.
Shkruar nga: Volga Kuscuoglu / Bianet
Në konferencën Our Media, të organizuar nga Rrjeti i Evropës Juglindore për Profesionalizimin e Medieve (SEENPM) dhe Qendra Mediale në Sarajevë, panelistët trajtuan dilemat etike dhe strategjike me të cilat përballet shoqëria civile gjatë veprimit në platformat korporative të rrjeteve sociale.
Në panelin me titull “Duke ushqyer makinën që shkakton problemet kundër të cilave po luftojmë – Dilema etike për përdorimin e rrjeteve sociale në kauzat e shoqërisë civile”, mbajtur më 3 tetor në Universitetin e Sarajevës, diskutimi u fokusua në mënyrën se si gazetarët, aktivistët dhe organizatat për të drejtat e njeriut mund të lundrojnë mes angazhimit me publikun dhe pjesëmarrjes në sisteme dixhitale shfrytëzuese.
Paneli, i moderuar nga Marina Grnja nga Shkolla e Gazetarisë në Novi Sad, bashkoi Victoire Rio nga organizata jofitimprurëse What to Fix (e cila merret me politika teknologjike dhe llogaridhënie), dhe z. Fegja Kulenoviq, ekspert për të dhëna dhe transformim dixhital nga Bosnja dhe Hercegovina, si dhe pjesëmarrësen Rima Sghaier, hulumtuese dhe avokate për lirinë në internet me bazë në Itali.
Të qëndrosh apo të largohesh?
Kulenoviq e nisi diskutimin duke formuluar dilemën thelbësore: A duhet gazetarët dhe mediat të qëndrojnë në platformat sociale, apo kjo është në fund të fundit kundërproduktive? Ai u përgjigj: “Po edhe jo. Varet nga qasja strategjike se si e menaxhon praninë tënde.”
Sipas tij, braktisja e këtyre platformave pa një alternativë do t’i linte ato të pushtohen nga “kuazi-media që paraqiten si burime legjitime” dhe do të dobësonte edhe më shumë ndikimin tashmë të brishtë të institucioneve mediatike.
Kulenoviq shtoi se gazetarët tashmë po humbin rolin e “rojtarit të portës së informacionit”, ndërsa politikanët po i anashkalojnë gjithnjë e më shumë për të komunikuar drejtpërdrejt me publikun.
“Nëse nuk kërkojmë llogaridhënien e tyre edhe në rrjetet sociale, atëherë do të jetë edhe më keq për ne. Dhe më e keqja do të jetë për komunitetin që përpiqemi t’i shërbejmë përmes krijimit dhe shpërndarjes së dijes për te.”
Për më tepër, edhe nëse mediat ndalojnë shpëndarjen e përmbajtjeve të tyre në këto platforma, të tjerët mund t’i shpërndajnë apo t’i ripërdorin ato për përfitim financiar, paralajmëroi ai.
“Mediet nuk mund të fitojnë në këtë mjedis”
Victoire Rio theksoi kontrastin midis misionit të gazetarisë dhe problemeve strukturore të modeleve të biznesit të rrjeteve sociale, sidomos me politikat e reja të monetizimit.
“Ata nuk janë të interesuar për krijimin e komuniteteve apo sjelljen e informacionit. Ata janë të interesuar të shesin sa më shumë reklama të jetë e mundur,” tha ajo.
Sipas Rio, algoritmet favorizojnë përmbajtje që maksimizon kohën e përdoruesve në platformë — gjë që shpesh nënkupton se përmbajtjet politike dhe gazetareske shtyhen poshtë.
“Në Facebook, dikur kishe miqtë e tu, disa faqe mediatike dhe burime informacioni që i kishe zgjedhur vetë. Tani mbi 35% apo 40% e përmbajtjes që sheh nuk ka asnjë lidhje me ty,” tha ajo.
“Në një botë ideale për YouTube, Facebook apo TikTok, ata do të donin të krijonin një ‘AI timeline’ vetëm për ty — të dizajnuar për të të mbajtur sa më gjatë të angazhuar.”
“Skenari ideal për ta është që të marrin përmbajtje që askush nuk e prodhon, që nuk duhet ta paguajnë, por që i mban përdoruesit brenda platformës sa më gjatë.”

Me modelet e monetizimit, në të cilat platformat e rrjeteve sociale shpërndajnë të ardhurat nga reklamat tek botuesit, Rio tha se “ato stimulojnë shumë aktorë që vetëm shtyjnë dhe shpërndajnë përmbajtje masivisht”, me qëllim që të maksimalizojnë fitimin duke menaxhuar sa më shumë faqe të jetë e mundur.
Sipas saj, shumica e kësaj përmbajtjeje është e gjeneruar nga inteligjenca artificiale ose e kopjuar (plaçkitur), ndonjëherë madje nga vetë mediat që po luftojnë për të ruajtur dukshmërinë e tyre.
Ajo theksoi se platformat e rrjeteve sociale trajtojnë njësoj përmbajtjet e gjeneruara nga AI me gazetarinë e prodhuar me kujdes profesional.
“Mediet nuk mund të fitojnë në këtë mjedis, sepse ato janë të lidhura me standarde etike dhe nuk mund të veprojnë si mijëra ‘ferma përmbajtjesh’ të drejtuara nga botët dhe AI-ja,” argumentoi Rio.
Për të adresuar këto probleme, ajo bëri thirrje për rishikimin e mënyrës se si vlerësohet përmbajtja dhe si reklamuesit shpërndajnë buxhetet e tyre në përputhje me këtë. Ajo solli si shembull portalin komunitar të Rappler në Filipine, ku gazetarët dhe audienca angazhohen drejtpërdrejt.
Megjithatë, Rio pranoi kufizimet: “Kjo është më e lehtë për redaksi hulumtuese që prodhojnë pak përmbajtje. Për prodhuesit e përditshëm të lajmeve, është shumë më e vështirë të mbajnë marrëdhënie të drejtpërdrejta me audiencën.”
Ndërtimi i reziliencës
Rima Sghaier, e cila iu bashkua panelit në distancë, e zgjeroi diskutimin duke folur për natyrën e paqartë dhe manipuluese të sistemeve algoritmike në platformat kryesore, që prej kohësh kanë shtrembëruar dukshmërinë e përmbajtjeve të shpërndara nga mediat e pavarura.
“Problemet rreth angazhimit organik përkeqësohen nga zhurma — thjesht ka shumë përmbajtje,” tha ajo, duke iu referuar shpërthimit të “kuazi-medieve” dhe burimeve të vetë-shpallura që zënë hapësirën e gazetarisë legjitime.
“Fatkeqësisht, e shohim këtë kudo,” shtoi ajo, “dhe kjo e bën shumë të vështirë për njerëzit të dallojnë nëse informacioni që shohin është i besueshëm. Tani kjo është bërë edhe më sfiduese me futjen e përmbajtjeve të gjeneruara nga AI.”
Për t’iu përgjigjur kësaj situate, Sghaier bëri thirrje për reziliencë dixhitale strategjike brenda redaksive dhe organizatave të shoqërisë civile.
“Për gazetarët është e rëndësishme të kenë një kuptim strategjik të përdorimit etik të rrjeteve sociale. Kjo përfshin ndërtimin e reziliencës. Çdokush në redaksi duhet të jetë i vetëdijshëm për kufizimet dhe dëmet që sjellin këto platforma dhe të ndërtojë praktika për t’i zbutur ato,” tha ajo.
Sipas saj, masa të tilla përfshijnë: vendosjen e cilësimeve të forta të privatësisë, praktikimin e higjienës dixhitale, dhe krijimin e kanaleve alternative të komunikimit, sidomos aty ku censura është e përhapur.
Ajo nënvizoi gjithashtu nevojën për transparencë etike në praktikat e të dhënave:
“Jini të qartë se çfarë të dhënash mblidhni nga audienca dhe sigurohuni që ata të kenë kontroll mbi mënyrën se si përdoren këto të dhëna,” tha Sghaier.
Duke u bërë thirrje gazetarëve që të prioritetizojnë zërat e margjinalizuar në strategjitë dhe përmbajtjet e tyre, ajo shtoi:
“Kuptoni si po fshihen apo zbehen këta zëra. Dhe kuptoni si funksionojnë algoritmet e angazhimit dhe rekomandimit — sepse ato janë ato që po formësojnë diskursin publik.” (VK)

Rreth programit rajonal “Our Media”: Programi rajonal “Our Media: Veprim i shoqërisë civile për të nxitur edukimin mediatik dhe aktivizmin, për të kundërshtuar polarizimin dhe për të promovuar dialogun” zbatohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian nga organizatat partnere: SEENPM, Instituti Shqiptar i Medias, Qendra Mediale në Sarajevë, Këshilli i Mediave të Shkruara i Kosovës, Instituti Mediatik i Malit të Zi, Instituti i Medias i Maqedonisë, Shkolla e Gazetarisë Novi Sad, Instituti i Paqes dhe Bianet.
Ky artikull u realizua me mbështetje financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi ekskluzive e SEENPM dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.
Ko financuar nga:

Add Comment