Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), i përfaqësuar nga kryetarja e Bordit të KMShK-së, Brikenda Rexhepi dhe zyrtari për marrëdhënie me publikun, Qerim Ondozi po merr pjesë në Takimin e 4-t Rajonal të Këshillave të Mediave në Evropën Juglindore dhe Turqi. Takimi dyditor me temën “Ndërtimi i besimit në media në Evropën Juglindore: Mbështetja për gazetarinë si e mirë publike” po mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Ngjarja ka bërë bashkë përfaqësues të trupave vetërregullues nga rajoni, përfshirë Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbinë, Turqinë dhe Kosovën.
Përfaqësuesit e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës prezantuan sfidat dhe arritjet kryesore të institucionit, si pjesë e diskutimit mbi situatën dhe zhvillimet aktuale në fushën e vetërregullimit të mediave në rajon.
Përveç prezantimeve nga këshillat përkatës, konferenca përfshin edhe ligjërata nga ekspertë ndërkombëtarë si prof. Laurence Dierickx (Belgjikë), e cila foli për sfidat e integritetit të informacionit në epokën e inteligjencës artificiale dhe Aleksandar Manasiev, gazetar dhe trajner nga Maqedonia e Veriut, i cili trajtoi ndikimin e AI-së në etikën e gazetarisë në nivel lokal.
Temat kryesore të konferencës përfshijnë:
– Arritjet dhe sfidat e këshillave të mediave në rajon
– Fushatën rajonale për ndërgjegjësim publik mbi rolin e vetërregullimit
– Qëndrueshmërinë financiare të këshillave të mediave
– Rolin e AI-së në gazetari dhe etikën e mediave
– Hartimin dhe miratimin e një deklarate të përbashkët të këshillave të mediave.
Ky takim rajonal organizohet me mbështetjen e UNESCO-s dhe shërben si platformë për shkëmbim përvojash dhe koordinim strategjik ndërmjet trupave vetërregullues në rajon.
Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës mbetet i përkushtuar në avancimin e vetërregullimit dhe mbrojtjen e etikës profesionale në gazetari, si dhe në ndërtimin e bashkëpunimeve të qëndrueshme rajonale për përballimin e sfidave të përbashkëta në fushën e mediave.

Add Comment