Parashtro ankesën

KMShK ORGANIZOI MODULIN E PARË TË SHKOLLËS SË ETIKËS SË GAZETARISË

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), me përkrahjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ka organizuar modulin e parë të Shkollës së Etikës së Gazetarisë. Studentë të gazetarisë gjatë tri ditëve patën rastin që të bisedojnë me profesionistë të fushës për çështje të ndryshme.

Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias, foli për legjislacionin që rregullon mediat, si dhe mbrojtjen nga shpifja dhe fyerja. Imer Mushkolaj, drejtor ekzekutiv i KMShK-së, diskutoi me pjesëmarrësit për respektimin e kodeve të etikës, si dhe rregullimin dhe vetërregullimin e mediave. Kurse Brikenda Rexhepi, kryetare e KMShK-së dhe kryeredaktore e Grupit Koha, foli për punën praktike të përditshme me gazetarët dhe simuloi një mbledhje të redaksisë. 

Gazetari Xhemajl Rexha diskutoi me studentët për raportimin në kohë krizash dhe konflikti. Ai solli përvojat e tij të punës si gazetar në rajone lufte. Kreshnik Gashi nga Kallxo.com diskutoi për etikën e gazetarisë gjatë punës në gazetarinë hulumtuese. Ai prezantoi shembuj konkretë të punës së tij si gazetar. Ndërkaq Agon Sinanaj nga Buletini Ekonomik diskutoi për raportimin nga fusha e ekonomisë dhe financave, mënyrat e hulumtimit dhe dekonstruktimin e shifrave dhe statistikave. Studentët propozuan ide të cilat do t’i realizojnë deri në modulin e dytë të shkollës, në kuadër të garës për shkrimet më të mira.

Alban Zeneli, ligjërues në Universitetin e Prishtinës (UP), foli për gjykimin etik në epokën e dezinformimit dhe inteligjencës artificiale. Kurse Imer Mushkolaj, bashkë me pjesëmarrësit e shkollës simuluan pranimin e ankesave dhe adresimin e tyre nga KMSHK, me ç’rast pjesëmarrësit u njohën me përvojat për shqyrtimin e rasteve sipas praktikave standard.

Moduli i dytë i Shkollës së Etikës së Gazetarisë organizohet në qershor.

Add Comment

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *