Përfaqësuesit e këshillave të shtypit dhe mediave nga vendet e Evropës Juglindore dhe Turqia, në kuadër të takimit rajonal për Etikën Mediale dhe Përdorimin e Përgjegjshëm të Inteligjencës Artificiale në redaksi, i cili po mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, nënshkruan Deklaratën e Përbashkët Rajonale për Përdorimin Etik dhe Transparent të Inteligjencës Artificiale në Media.
Kjo deklaratë thekson rëndësinë thelbësore të ruajtjes së rolit të gazetarisë në mbrojtjen e interesit publik, si dhe domosdoshmërinë e vetërregullimit të mediave për të ruajtur standardet profesionale dhe pavarësinë editoriale në epokën digjitale.
Deklarata përfshin parime të qarta për përdorimin e AI-së në media, duke përfshirë:
– AI-në si mjet mbështetës, jo zëvendësues i gjykimit njerëzor;
– Transparencën dhe etiketimin e përmbajtjes së krijuar nga AI-ja;
– Përgjegjësinë redaktoriale dhe vlerësimin e rreziqeve para përdorimit të teknologjisë;
– Standardet e verifikimit dhe saktësisë edhe për përmbajtjen e ndihmuar nga AI;
– Mbrojtjen e pluralizmit dhe grupeve të ndjeshme, si dhe luftën kundër paragjykimeve algoritmike;
– Politika të brendshme për përgjegjësi, privatësi dhe edukim medial për AI.
Nëpërmjet kësaj deklarate këshillat e mediave angazhohen të përditësojnë kodet etike, të forcojnë bashkëpunimin rajonal dhe të nxisin edukimin për përdorimin e sigurtë dhe të ndërgjegjshëm të AI-së në gazetari.
“Vetëm nëpërmjet etikës, transparencës dhe një vizioni të përbashkët mund të ndërtojmë një sistem medial që është i qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe i denjë për besimin e publikut në epokën digjitale”, thuhet në përfundim të deklaratës.

Add Comment