Parashtro ankesën

Përfundoi Shkolla e Etikës së Gazetarisë

Ka përfunduar, në Prishtinë, Shkolla e Etikës së Gazetarisë, organizuar nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK). Në ditën e parë të modulit të dytë të shkollës është diskutuar për shpifjen dhe fyerjen, edukimin medial dhe sigurinë e gazetarëve.

Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias, ka bashkëbiseduar me studentë të gazetarisë dhe gazetarë të rinj për lirinë e shprehjes dhe Ligjin civil kundër shpifjes dhe fyerjes. Nëpërmjet shembujve konkretë ajo ka shpjeguar çështje që kanë të bëjnë me raportimin etik dhe respektimin e kodeve të etikës dhe ligjit.

Blerta Dibrani, ligjëruese në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës (UP) ka folur për rëndësinë e edukimit medial. Po ashtu, ajo ka prezantuar rezultatet e një hulumtimi të realizuar me të rinj në gjithë Kosovën, nëpërmjet të cilit është matur perceptimi i tyre lidhur me konsumimin e përmbajtjeve mediale dhe burimet e informimit.

Ndërkaq në sesionin e tretë Xhemajl Rexha, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës
(AGK) ka folur për sigurinë e gazetarëve në Kosovë dhe kujdesin që mediat duhet të tregojnë për gazetarët gjatë raportimit në situata të krizës. Ai, po ashtu, ka përmendur edhe raste konkrete nga puna e tij në rajone të krizës, në funksion të raportimit etik dhe profesional.

Në ditën e dytë studentët dhe gazetarët e rinj pjesëmarrës kanë vizituar median online Telegrafi dhe Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP).

Në Telegrafi me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu studentët dhe gazetarët e rinj
bashkëbiseduan për punën në redaksi, punën praktike të përditshme të gazetarëve në terren, si dhe funksionimin e një medie.

Hajrullahu shpjegoi organizimin e punës në redaksi, përfshirë lajmet e ditës, por edhe realizimin e shumë produkteve të tjera të Telegrafi.com. Ai, po ashtu, theksoi rëndësinë e respektimit të Kodit të Etikës të KMSHK-së në funksion të raportimit të drejtë dhe profesional.

Në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP) vijuesit e Shkollës së Etikës patën rastin të bashkëbisedojnë me komisioneren e AIP-së, Krenare Sogojeva-Dërmaku dhe me drejtoren e përgjithshme, Lumnije Demi.

Në takim u theksua roli i AIP-së në trajtimin e ankesave për qasje në dokumente publike dhe mbrojtjen e të dhënave personale, duke u siguruar se çdo individ ka të drejtë të ketë qasje në informacion, sipas legjislacionit në fuqi.

Komisionerja inkurajoi studentët që të ndjekin parimet e etikës në punën e tyre dhe të
angazhohen për një gazetari të përgjegjshme, që është në shërbim të informimit të drejtë dhe të saktë të publikut, duke respektuar privatësinë dhe të drejta e qytetarëve.

Gjatë takimit u diskutua edhe për sfidat me të cilat përballen gazetarët në epokën e informacionit të shpejtë, si dhe rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave personale të qytetarëve në sigurimin e integritetet të informimit publik.

Në ditën e tretë dhe të fundit pjesëmarrësit e shkollës kanë bashkëbiseduar me profesionistë të mediave rreth dokumentimit të historisë nëpërmjet gazetarisë, si dhe mbi metoda dhe vegla të dekonstruktimit të përmbajtjeve të rreme mediale.

Visar Duriqi nga Gazeta Insajderi ka bashkëbiseduar me studentë të gazetarisë dhe gazetarë të rinj rreth dokumentimit të historisë nëpërmjet gazetarisë, përkatësisht mënyrës si të kthehet një dosje hetimore në narrativë hulumtuese.

Ai ka treguar për përvojat e tij hulumtuese gjatë raportimit për tema të ndjeshme, me theks të veçantë nga rastet kriminale, si dhe për procesin e realizimit të librit të tij që ka të bëjë me “Rastin Bllaca”.

Kurse Fatbardh Dema dhe Etrit Rexhepi nga Hibrid.info kanë folur për çrregullimin e
informacionit dhe përmbajtjet e rrejshme mediale. Nëpërmjet shembujve konkretë ata kanë demonstruar mënyrat, metodat dhe veglat të dekonstruktimit të këtyre përmbajtjeve, duke ofruar mundësi që edhe studentët dhe gazetarët e rinj t’i përdotin ato gjatë punës së tyre të përditshme.

Ky edicion i Shkollës së Etikës së Gazetarisë organizohet me përkrahjen e UNESCO-s në kuadër të projektit ”Ndërtimi i besimit te mediat në Europën Juglindore: Mbështetje për gazetarinë si e mirë publike“, i financuar nga Bashkimi Evropian.

Add Comment

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *