Hapësira digjitale, rrjetet sociale dhe mjetet e bazuara në inteligjencën artificiale në dekadën e fundit kanë ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si funksionojnë mediat.
Shkruajnë: Aneta Duroviq dhe Hilma Unkiq Begiq
Kodet e etikës, të cilat i ndihmojnë gazetarët dhe redaktorët në marrjen e vendimeve të rëndësishme profesionale dhe zgjidhjen e dilemave etike, po kalojnë nëpër një proces rishikimi dhe ndryshimesh në të gjithë rajonin. Ndërsa grupet e punës që punojnë për këto ndryshime në disa vende kanë vendosur të bëjnë ndryshime të detajuara në përmbajtjet ekzistuese, në vende të tjera fokusi është në nenet e reja që përcaktojnë fenomene të tilla sie drejta për t’u harruar, menaxhimi i komenteve të audiencës ose të drejtat e autorit. Vëmendja më e madhe, megjithatë, i kushtohet rishikimit të kodit për të përcaktuar detyrimet e profesionistëve të medias kur përdorin mjete të inteligjencës artificiale.
Cilado qoftë qasja që kanë zgjedhur në këtë proces, profesionistët në Ballkanin Perëndimor që besojnë në rëndësinë e vetërregullimit, besojnë se kodet etike duhet t’iu përgjigjen ndryshimeve që sjell epoka digjitale. Megjithatë, ata janë të vetëdijshëm se dokumentet e shkruara parashikojnë një praktikë të idealizuar të gazetarisë, e cila është e vështirë të arrihet në një mjedis realist dhe jashtëzakonisht stresues për gazetarët. Është e vështirë – por kjo nuk do të thotë që nuk duhet përpjekur për një gazetari të tillë dhe të rishikohen vazhdimisht vendimet profesionale.
Një hulumtim i vitit 2023 mbi mekanizmat e vetërregullimit në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi tregoi se kodet etike gazetareske në shumicën e vendeve bazohen në parime universale si interesi publik, saktësia, mbrojtja e privatësisë, ndalimi i gjuhës së urrejtjes. Megjithatë, praktika mediatike në vitet e fundit ka hapur një sërë dilemash që kodet etike kryesisht nuk i kanë trajtuar. A mund të jenë burime informacionit përmbajtjet nga rrjetet sociale? Ku fillon dhe ku mbaron përgjegjësia e medias për komentet e audiencës? Si të rregullohet përdorimi i inteligjencës artificiale në gazetari? Si të sigurohet një ndarje e qartë e përmbajtjes editoriale dhe asaj reklamuese? Këto janë vetëm disa nga çështjet që shkaktuan procesin e rishikimit të kodeve etike në disa vende të rajonit.
Transparencë me inteligjencë artificiale
Në Serbi, Kodi i ri i gazetarëve dhe gazetareve hyri në fuqi në fund të vitit 2024, pasi u miratua nga Shoqata e Gazetarëve të Serbisë dhe Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë. Përpara kësaj, kodi nuk është ndryshuar që nga miratimi i tij në vitin 2006, por janë ndryshuar udhëzimet për zbatimin e kodit në mjedisin online, në vitet 2016 dhe 2020. Ndryshimet në dokumentet etike nuk ndodhin sipas afateve të paracaktuara, por kur komuniteti mediatik vlerëson se ka nevojë për to, shpjegon Milica Janjatoviq Jovanoviq, autorja e hulumtimit mbi vetërregullimin e medias në Serbi, i cili u krye si pjesë e iniciativës rajonale Our Media.
Në kodin e ri u fut një kapitull i veçantë mbi respektin për dinjitetin, i cili specifikon udhëzime për raportimin mbi të miturit, viktimat e aksidenteve, personat me aftësi të kufizuara, anëtarët e pakicave kombëtare dhe popullatën LGBT. Gjithashtu u specifikua që gazetarët nuk raportojnë nga varrimet, përveç në rastin e figurave publike të profilit të lartë. Ndryshimet theksuan më tej pavarësinë e gazetarëve nga interesat e korporatave, jo vetëm nga presionet politike, kurse u definuan më saktë edhe mbrojtja e privatësisë dhe e të dhënave personale.
Ndër risitë kryesore bëjnë pjesë edhe përfshirja e të drejtës për t’u harruar, specifikimi i rregullave mbi përdorimin e përmbajtjes nga rrjetet sociale, rregullimi i moderimit të komenteve dhe detyrimi për të informuar audiencën rreth mënyrës së moderimit, si dhe përfshirja e udhëzimeve për gjuhën e ndjeshme gjinore. Gjithashtu përfshihen dispozita të qarta mbi përdorimin e inteligjencës artificiale dhe detyrimi për të treguar nëse përmbajtja është krijuar me ndihmën e mjeteve të inteligjencës artificiale.
“Media duhet të përdor inteligjencën artificiale në krijimin e përmbajtjes në mënyrë transparente, të përgjegjshme dhe proporcionale dhe është plotësisht përgjegjëse për përmbajtjen e publikuar në këtë mënyrë. Mediat janë të detyruara të informojnë publikun se përmbajtja mediatike është krijuar duke përdorur mjete të bazuara në inteligjencën artificiale”, thuhet në kodin e ri.
Pasi Instituti i Medias i Malit të Zi publikoi një hulumtim mbi mekanizmat vetërregullues që tregonte për një kod etik të vjetëruar, procesi i rishikimit të kodit filloi në atë vend, me mbështetjen e OSBE-së, Këshillit të Evropës dhe UNESCO-s, në vitin 2025 dhe është duke vazhduar. Grupi i punës mbledh ekspertë vendas të medias, ombudsmanë dhe gazetarë, me mbështetjen e ekspertit ndërkombëtar Joan Barata. Ndryshimet në draft u prezantuan vitin e kaluar, pasuar nga komentet dhe sugjerimet nga publiku profesional dhe dokumenti aktualisht po i nënshtrohet ndryshimeve përfundimtare.
Sipas Mihailo Jovoviqit, anëtar i grupit punues dhe kryeredaktor i të përditshmes
“Vijesti“ të Podgoricës, parimet themelore të dokumentit ekzistues nuk u kontestuan.
“Themelet u hodhën mirë në vitin 2015. Nuk kishte nevojë të prekeshin parimet themelore, por të shtoheshin udhëzime më të sakta për fushat që janë zhvilluar ndërkohë”, thotë ai.
Ngjashëm me vendet e tjera në rajon, ndryshimet në kodin malazez kanë të bëjnë me parimet e rregullimit në fushën e rrjeteve sociale, burimeve dhe komenteve online, si dhe përdorimin e inteligjencës artificiale.
“Thelbi është transparenca. Nëse inteligjenca artificiale është përdorur në një masë të konsiderueshme në krijimin e produktit përfundimtar, kjo duhet të tregohet. Të gjitha standardet janë njësoj të vlefshme – pavarësisht nëse përmbajtja është krijuar me ndihmën e teknologjisë apo është krijuar tërësisht nga një gazetar”, pohon Jovoviq.
Ai thekson se inteligjenca artificiale mund të jetë një mjet i dobishëm në gazetarinë hukumtuese dhe verifikimin e fakteve, por përgjegjësia për përmbajtjen e publikuar iu mbetet gjithmonë njerëzve.
Edhe në Shqipëri ekspertët e medias iu përkushtuan në detaje rregullimit të përmbajtjes gazetareske të krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale. Vitin e kaluar, përveç rishikimit të kodit të etikës, u hartuan udhëzime të hollësishme për përdorimin etik të inteligjencës artificiale në median shqiptare. Procesi u menaxhua nga Instituti Shqiptar i Medias, me mbështetjen e IFEX dhe grupi punues përbëhej nga ekspertë vendas të medias dhe eksperti ndërkombëtar për etikën gazetareske, Aidan White.
“Procesi i rishikimit u nxit nga zgjerimi i shpejtë i përdorimit të inteligjencës artificiale në media, gjë që çoi në sfida dhe dilema serioze për gazetarët dhe aktorët e tjerë të medias, prandaj u konsiderua e nevojshme që këto sfida të adresoheshin në masën më të madhe të mundshme”, shpjegon Instituti Shqiptar i Medias, duke shtuar se u konsultuan dokumente nga organizata të ndryshme, të tilla si ato të miratuara nga Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës dhe Karta e Parisit mbi Inteligjencën Artificiale dhe Median, si dhe udhëzimet e organizatave mediatike si Reuters dhe Washington Post.
Së bashku me detyrimin për transparencë gjatë përdorimit të mjeteve të inteligjencës artificiale dhe mbikëqyrjes njerëzore mbi këtë proces, mediat në Shqipëri janë të detyruara të rishikojnë politikat e tyre mbi përdorimin e inteligjencës artificiale kur lind nevoja.
“Organizatat mediatike duhet të rishikojnë periodikisht politikat dhe udhëzimet e tyre në lidhje me përdorimin e inteligjencës artificiale për të siguruar që ato janë në përputhje me nevojat e audiencës dhe përparimet teknologjike”, thuhet në udhëzime.
Për më tepër, mediat pritet të zbulojnë publikisht informacion në lidhje me politikat dhe procedurat e tyre për përdorimin e inteligjencës artificiale, duke informuar audiencën se si dhe pse përdoret ajo.
Edhe pse ato janë një hap i rëndësishëm në rregullim, ndryshimet në kod dhe udhëzimet e reja për përdorimin e veglave të inteligjencës artificiale në gazetari, në vetvete nuk janë të mjaftueshme, janë të vetëdijshëm studiuesit e medias në rajon.
“Kjo nuk është diçka që do të identifikohet dhe zgjidhet menjëherë vetëm për shkak të rregullave. Ky proces kërkon kohë dhe për këtë arsye shpresojmë që në të ardhmen do të kemi një qasje praktike dhe trajnim për profesionistët e medias”, thotë Ilda Londo, hulumtuese në Institutin Shqiptar të Medias, e cila ka studiuar mekanizmat vetërregullues në këtë vend.
Profilet personale të gazetarëve, të drejtat e autorit dhe “rishkrimi”
Teksti i ri i kodit malazez sqaron gjithashtu detyrimet e gazetarëve që kanë të bëjnë me sjelljen në profilet personale në rrjetet sociale.
“Nuk do të ishte e drejtë që dikush të sillet në mënyrë joetike në një profil privat, për shembull duke përhapur gjuhë urrejtjeje, ndërsa nga ana tjetër ai është zyrtarisht gazetar. Këto gjëra nuk shkojnë së bashku”, shpjegon Ranko Vujoviq, kryetar i Këshillit për Vetërregullim në Mal të Zi.
Një risi e madhe është përfshirja e së drejtës për t’u harruar me qëllim mbrojtjen e personave që nuk janë zyrtarë publikë, të cilët mund të vuajnë pasoja afatgjata për shkak të informacionit të publikuar shumë vite më parë.
“Konsideruam se për shkak të faktit se interneti ‘kujton gjithçka’, është e nevojshme t’u ofrohet mbrojtje personave që nuk janë zyrtarë publikë. Këta janë njerëz të zakonshëm që, për shembull, në rininë e tyre kanë bërë një gabim ose kanë kryer një akt të paligjshëm dhe kjo histori mediatike i ndjek ata gjatë gjithë jetës së tyre. Ideja është të mundësohet mbrojtja e personave të tillë në rrethana të caktuara, veçanërisht kur informacioni nuk është më me interes publik, por ende ka pasoja të rënda për jetën e tyre private dhe profesionale”, specifikon Vujoviq.
Në dokumentin e ri, për herë të parë, fusha e të drejtës së autorit, pra pronësia intelektuale, trajtohet në detaje.
“Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për shkak të atyre, le t’i quajmë media, kopjuesve. Ky kod do të përcaktojë që përmbajtja nga mediat e tjera nuk mund të përdoret pa leje dhe duke e vjedhur, siç ndodh shpesh në Mal të Zi”, thotë Mihailo Jovoviq.
Gjithashtu, përmbajtja e marrë nga rrjetet sociale duhet të verifikohet në të njëjtën mënyrë si burimet tradicionale, me citim të burimit dhe verifikim të vërtetësisë së rrëfimeve, fotografive ose xhirimeve.
Në udhëzimet për kodin në Shqipëri përcaktohet se përdorimi i inteligjencës artificiale nuk e liron median nga detyrimi për të respektuar të drejtën e autorit. Nga redaktorët pritet që të kenë kujdes që përmbajtja e krijuar në këtë mënyrë të mos përfshijë pjesë të mbrojtura me të drejtë autori, ose nëse i përfshin, duhet ta deklarojnë qartë burimin.
Shkëmbimi i përvojave
Në fund të shkurtit, përfaqësues të organeve vetërregulluese dhe mediave nga Ballkani Perëndimor dhe Turqia morën pjesë në një diskutim në panel online kushtuar rishikimit të kodeve etike në rajon. Më shumë se 40 pjesëmarrës të eventit “Modernizimi i Kodeve të Etikës Gazetare: Perspektiva Rajonale” patën mundësinë të shkëmbenin informacione rreth procesit të rishikimit të kodeve etike, me fokus në Malin e Zi dhe Shqipëri, kurse përfaqësues të mekanizmave vetërregullues nga vende të tjera folën për përvojat dhe planet për të ardhmen. Kështu, pjesëmarrësit nga Kosova deklaruan se kodi i etikës në këtë vend u rishikua gjithashtu në vitin 2024 me qëllim adresimin e përdorimit të inteligjencës artificiale në përmbajtjen mediatike. Ata planifikojnë të zhvillojnë udhëzime shtesë mbi këtë temë që do të mbështeten në udhëzimet e publikuara së fundmi të Federatës Evropiane të Gazetarëve.
Pjesa tjetër e tekstit të kodit të Kosovës mbeti e pandryshuar, kurse pjesa që lidhet me inteligjencën artificiale u përfshi në paragrafin e dytë që lidhet me raportimin e së vërtetës. Sipas Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, ndryshimet e shpeshta në kod nuk janë të nevojshme, sepse parimet e gazetarisë mbeten të njëjta, madje edhe në epokën e inteligjencës artificiale dhe lajmeve të rreme.
Për më tepër, një grup mediash në këtë vend nënshkroi vitin e kaluar Kodin për Përdorimin e Përgjegjshëm të Rrjeteve Sociale gjatë Zgjedhjeve Lokale të vitit 2025 në Kosovë. Nënshkruesit, të cilët përfshijnë, përveç gazetarëve, politikanë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, me këtë dokument angazhohen të shmangin përhapjen e dezinformatave, gjuhës së urrejtjes, ngacmimeve dhe përmbajtjeve të tjera të dëmshme. Përveç kësaj, ata nuk do të përdorin rrjete të koordinuara llogarish në rrjetet sociale për të manipuluar diskutimet online me qëllim shfaqjen e mbështetjes së rreme.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, i gjithë rishikimi i kodit u zhvillua në vitin 2022. Më pas, në fund të vitit 2024, Këshilli i Mediave të Shkruara dhe Online i Bosnjës dhe Hercegovinës publikoi një manual për zbatimin e kodit, së bashku me të cilin u zhvillua Lista e Kontrollit Etik, një mjet që mundëson kontrollin e masës në të cilën një tekst ose përmbajtje e caktuar mediatike përputhet me dispozita të caktuara të kodit. Gjithashtu, si një burim shtesë për zbatimin e kodit, u publikuan edhe “Metodologjia për angazhimin mediatik të organizatave joqeveritare në Bosnjë dhe Hercegovinë“ dhe “Manuali për të kuptuar dezinformimin“.
Kodi i Etikës në BeH nuk merret me përdorimin e inteligjencës artificiale, por Këshilli i Mediave të Shkruara dhe Online konsideron se e ka mbuluar atë pjesë nëpërmjet dispozitave të tjera.
“Ne e parashikuam këtë me nenin ‘Përdorimi i teknologjive të informacionit’ dhe mund të zbatohet plotësisht si përgjigje ndaj sfidave moderne, duke theksuar përgjegjësinë editoriale kur përdoret çdo formë e teknologjisë së re. Atëherë nuk ekzistonte inteligjenca artificiale, por mund të zbatohet sepse është një teknologji e re”, tha Këshilli i Mediave të Shkruara dhe Online i Bosnjës dhe Hercegovinës, duke shtuar se këtë vit, megjithatë, ata do ta rafinojnë kodin në mënyrë që të përmbajë dispozita shtesë mbi inteligjencën artificiale.
Në Maqedoninë e Veriut, rishikimi i kodit të etikës po koordinohet aktualisht nga Shoqata e Gazetarëve dhe Instituti Maqedonas i Medias. Versioni i ri i dokumentit do të pasqyrojë nevojat moderne të sektorit të medias, me fokus në teknologjitë e reja, përdorimin e inteligjencës artificiale dhe aspekte të tjera moderne të praktikës gazetareske.
“Është planifikuar që kodi të promovohet në pranverën e vitit 2026, pasuar nga një fushatë publike gjatë verës dhe vjeshtës me qëllim edukimin e publikut dhe profesionistëve të medias rreth zbatimit praktik të kodit”, shpjegon Instituti Maqedonas i Medias.
Në Turqi, e cila u përfshi gjithashtu në anketën e madhe rajonale mbi mekanizmat vetërregullues nga viti 2023, situata është më komplekse. Në vitet e fundit, Këshilli i Mediave të Shkruara dhe Shoqata e Gazetarëve Turq kanë rishikuar kodet e tyre etike për të përfshirë detyrimet në lidhje me rrjetet sociale, inteligjencën artificiale dhe sfidat e tjera moderne teknologjike. Sinem Aydınlı, hulumtuese e medias nga Bianet, shpjegon se si sektori tashmë i vogël i medias së pavarur në Turqi ka gjithashtu një infrastrukturë etike të dobët dhe shumë të fragmentuar.
“Nuk ka një trup qendror përgjegjës për përditësimin e kodeve etike gazetareske, standardet kryesisht formësohen nga shoqatat profesionale dhe mediat individuale me iniciativën e tyre”.
Gjatë dy viteve të fundit, Shoqata e Gazetarëve të Turqisë organizoi konferenca me akterë të ndryshëm, në të cilat u diskutuan monopolet digjitale, kërcënimet e reja ndaj medias dhe përgjigjet e mundshme politike, mbi bazën e të cilave u publikua një deklaratë dhe, po ashtu, e njëjta shoqatë nisi publikimin e një buletin për monitorimin e etikës së medias, i cili analizon raste specifike gazetareske dhe respektimin e standardeve etike.
Kodet etike gazetareske janë themelet e vetërregullimit të medias. Ndryshimi i tyre është i nevojshëm në masën që gazetarët dhe redaktorët kanë nevojë për udhëzime, për të vepruar në rrethana të reja. Prandaj, është e rëndësishme që organet vetërregulluese dhe komunitetet mediatike në rajon të shohin vazhdimisht në pikëpyetje se sa mirë korrespondojnë kodet e tyre etike nacionale kombëtare me këto nevoja.
Megjithatë, nuk duhet harruar se postulatet themelore të profesionit do të mbeten të pandryshuara për sa kohë që ekziston gazetaria. Profesionistët që i përvetësojnë këto vlera në mënyrën e duhur do të dinë shumë më lehtë se si t’i zbatojnë ato në sfidat që sjell epoka digjitale.
Ky artikull u prodhua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e SEENPM dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian)
Add Comment