Lajmet e publikuara pa verifikim, sidomos nga proceset gjyqësore, ndikojnë jo vetëm në besimin ndaj drejtësisë, por edhe në vetë konceptin e së vërtetës. Të keqinformosh për drejtësinë është po aq e rrezikshme sa ta mohosh atë.
Shkrim nga Betim Musliu
Në vendet me demokraci të brishtë, drejtësia shpesh gjykohet para se të flasë gjykata. Në këto vende besimi në institucione ndërtohet me shumë mund, por rrëzohet me lehtësi nëpërmjet titujve në media apo rrjete sociale. Në këtë realitet të epokës digjitale gara nuk bëhet për lajmin e saktë dhe të drejtë, por për shpejtësinë e publikimit të tij.
Raportimi nga gjykatat është ndër format më të ndjeshme të gazetarisë, për çka kërkohet përgatitje e madhe profesionale. Lajmet nga gjykatat ndikojnë drejtpërdrejt në perceptimin publik për drejtësinë, si shtyllë kryesore në demokraci. Prandaj, lajmet e publikuara pa verifikim, sidomos nga proceset gjyqësore, ndikojnë jo vetëm në besimin ndaj drejtësisë, por edhe në vetë konceptin e së vërtetës. Drejtësia e keqinformuar është po aq e rrezikshme sa drejtësia e mohuar.
Në këtë kontekst, ku çdokush mund të publikojë, por jo çdokush di të raportojë, edukimi medial nuk është më luks, por është domosdoshmëri publike. Qytetarët duhet të dinë të lexojnë mes rreshtash dhe të dallojnë gazetarinë nga propagandat.
Raportimi nga gjykatat kërkon më shumë se sa praninë në gjykatore. Gazetarët e sektorit të drejtësisë duhet të përgatiten profesionalisht, me njohuri ligjore, për proceset gjyqësore, për parimin e prezumimit të pafajësisë dhe për kufijtë që ndajnë interesin publik nga shkelja e privatësisë. Por, shpesh këto parime shkilen për hir të një titulli “kreativ” që sjell klikime. Në këto raste, nga lajmi prodhohen spektakle dhe në vend të raportimit, bëhen gjyqe publike.
Një lajm i pasaktë nga një seancë gjyqësore mund të prodhojë pasoja të pariparueshme për jetën e njerëzve. Në epokën digjitale, ku gjithçka mbetet në arkivat online, gabimi në raportim mbetet si “dënim i përhershëm”, prandaj raportimi nga gjykatat duhet të jetë shembull i profesionalizmit, standard ky që duhet ta kërkojë domosdo edhe publiku.
Në epokën digjitale – në dominimin e mediave sociale – qytetari është konsumator i lloj-lloj produkti të maskuar si lajm, të cilin shpesh nuk ka aftësi ta dallojë Derisa një status në rrjete sociale bëhet viral brenda pak minutash, një raportim profesional ndodh të kalojë pa vëmendje, për shkak të mungesës së spektaklit në raportim. Prandaj, edukimi medial është rruga e vetme që qytetari të aftësohet jo vetëm për të përdorur median, por për ta kuptuar atë, në mënyrë që të zgjedh të informohet nga media profesionale, jo nga “media” apo profile anonime që luajnë me emocionet dhe paragjykimet.
Sfida e tanishme me të cilën po përballen mediat profesionale është logjika e tregut digjital, ku algoritmet nuk shpërblejnë cilësinë e informacionit, por klikimet, komentet dhe shpërndarjet. Në kontekstin e raportimit nga gjykatat kjo logjikë është shumë e rrezikshme, duke e perceptuar drejtësinë si spkekakël e jo si proces të administrimit të drejtësisë, rrjedhimisht duke prodhuar viktima për të satën herë.
Në këtë realitet mediat profesionale janë në krizë të mbijetesës, duke “luftuar” me përmbajtjet manipulative që nëpërmjet algoritmeve marrin vëmendjen e publikut, klikimet, rrjedhimisht të ardhurat.
Kosova njihet si vend ku aspekti i rregullimit kushtetues e ligjor në fushën e lirisë së medias ka avancuar. Pavarësisht këtyre garancioneve, zbatimi në praktikë mbetet sfidë. Në këtë drejtim, vetërregullimi është mënyra më e mirë për të ruajtur integritetin e profesionit të gazetarisë. Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) është shembull i këtij mekanizmi, për të ngritu profesionalizmin e mediave dhe respektimin e Kodit të Etikës, duke mos ndëshkuar, por duke udhëzuar, duke mos censuruar, por duke mbrojtur etikën dhe standardet profesionale.
Megjithatë, as ky mekanizëm vetërregullues nuk funksionon nëse publiku nuk e njeh dhe nuk e përdor. Prandaj, është e dosmosdoshme edukimi medial të përfshijë edhe njohjen e mekanizmave të vetërregullimit, sepse vetëm një publik i informuar mund të kërkojë llogari nga media, e cila në këto raste detyrohet të jetë më profesionale.
Edukimi medial duhet të fillojë sa më herët, qysh në shkollën fillore. Nxënësit duhet të mësojnë si funksionon media, si verifikohet informacioni dhe si ndahen faktet nga opinionet. Kjo nuk është vetëm pjesë e arsimit qytetar – është mbrojtje kundër manipulimit. Nëse fëmijët rriten duke kuptuar se jo çdo gjë që qarkullon në rrjete është e vërtetë, atëherë shoqëria e së nesërmes do të jetë më pak e rrezikuar nga dezinformimi dhe më e aftë të kërkojë gazetari cilësore.
Në raportimin nga gjykatat përgjegjësia është e ndërsjellë – e gazetarëve për të raportuar drejt dhe e publikut për të konsumuar me vetëdije. Gazetaria është aq profesionale sa publiku e kërkon të jetë.
Nëse publiku shpërblen lajmet e pavërteta me klikime, do të prodhohen edhe më shumë lajme të pavërteta, por nëse publiku shpërblen saktësinë, kontekstin dhe profesionalizmin, tregu do të ndryshojë vetvetiu. Në këtë drejtim, publiku luan rolin e rojes të së vërtetës.
Raportimi nga gjykatat na kujton se liria e shprehjes dhe e medias janë të vlefshme vetëm kur shoqërohen me përgjegjësi. Prandaj, edukimi medial duhet të jetë pjesë e përditshmërisë sonë – kudo. Kjo është mënyra e vetme për të ndërtuar një shoqëri që kupton, vlerëson dhe mbron gazetarinë e mirëfilltë dhe që kërkon drejtësi jo nga titujt e rrjeteve sociale, por nga faktet e dëshmuara në gjykatë. Gazetaria profesionale me integritet nuk ka vetëm mision informimin, por edhe ndërtimin e besimit publik.

(Autori është zv.drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi dhe kryeredaktor i mediumit “Betimi për Drejtësi”. Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Media Jonë”. Qëndrimet dhe opinionet e shprehura në këtë punim i përkasin vetëm autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimet dhe opinionet e Bashkimit Evropian. Projekti rajonal “Media Jonë: Nismë për Avancimin e Edukimit Medial, Dialogut dhe Aktivizmit” zbatohet me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian nga organizatat partnere: SEENPM, Instituti Shqiptar i Medias, Qendra Mediale në Sarajevë, Këshilli i Mediave të Shkruara i Kosovës, Instituti Mediatik i Malit të Zi, Instituti i Medias i Maqedonisë, Shkolla e Gazetarisë Novi Sad, Instituti i Paqes dhe Bianet.
Add Comment