Parashtro ankesën

Peizazhi Mediatik i Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë: I bllokuar në tranzicion

Nëse gazetaria dëshiron të mbijetojë, ajo duhet jo vetëm të mbrohet ligjërisht dhe përmes sindikatave, por edhe të rishpikë në mënyrë revolucionare rolin, formatin dhe themelin e saj ekonomik – duke e vendosur interesin publik, dhe jo fitimin apo ndikimin politik, si qëllimin e saj qendror. Kjo është veçanërisht e dukshme në Evropën Juglindore dhe Turqi, ku kriza e gazetarisë ndërlikohet më tej nga një tranzicion i dështuar dhe paqëndrueshmëri e thellë ekonomike.

 

Nga: Minel Abaz

 

Këto çështje ishin në qendër të panelit E ardhmja e gazetarisë në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi – Çfarë e ardhmeje?”, mbajtur në kuadër të konferencës ndërkombëtare Our Media, organizuar nga Rrjeti i Evropës Juglindore për Profesionistizimin e Mediave (SEENPM) dhe Qendra Mediale e Sarajevës.

 

Paneli mblodhi ekspertë nga vende dhe fusha të ndryshme – nga sindikatat e gazetarëve deri te akademia. Ndër pjesëmarrësit ishin Remzi Lani (Shqipëri), Sinem Aydinli (Turqi), Zhaneta Trajkoska (Maqedonia e Veriut), Helena Milinkoviq (Slloveni) dhe Lejla Turcilo (Bosnje dhe Hercegovinë). Përfundimi i tyre i përbashkët ishte i qartë: mediat po ballafaqohen me një kundër-revolucion, ku zëri i tepërt, jo argumenti, është arma kryesore.

 

Presioni politik dhe kolapsi i lirisë: Turqia si paradigmë

 

Situata e mediave në Turqi shërbeu si hyrje dramatike për atë që, në një formë më të butë, po përhapet në gjithë rajonin: shtypje sistematike e lirisë së shprehjes përmes mjeteve ekonomike, ligjore dhe digjitale.

 

Studiuesja e mediave Sinem Aydinli theksoi se gazetaria në Turqi është “nën rrethim nga presione të fuqishme politike dhe ekonomike”, me qëndrueshmërinë ekonomike të profesionit të dobësuar dhe me besimin publik që bie çdo vit.

 

Ajo solli shumë shembuj të represionit. Gazetarët shpesh akuzohen për “propagandë terroriste” ose “anëtarësi në organizata terroriste”, ndërsa neni ligjor si Neni 301 – që ndalon “fyerjen publike të kombit turk dhe Republikës së Turqisë” – përdoret shpesh poashtu. Edhe ligjet për tubime publike po aplikohen kundër gazetarëve. Një rast ilustrues ishte kur, pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Stambollit, gazetarët, veçanërisht fotoreporterët që dokumentuan dhunën policore, u ndaluan.

 

Përtej presionit direkt, kontrolli digjital është një problem tjetër serioz. Aydinli theksoi se algoritmet e Google promovojnë mediat pro-qeveritare në 89% të rasteve, duke zvogëluar ndjeshëm dukshmërinë e mediave të pavarura. Trupat rregullatorë si RTUK ndëshkojnë selektivisht mediat e pavarura, ndërsa transmetuesi publik TRT “thjesht përsërit vijën zyrtare të qeverisë.”

 

Rezultati është një kolaps etik. Aydinli citoi ombudsmanin e pavarur Faruk Bildirici, i cili në rastin e vrasjes së një vajze tetëvjeçare theksoi se mediat “u ngutën të publikojnë pretendime sensacionale e të paverifikuara,” duke bërë që publiku të besonte se “e gjithë familja ishte fajtore.” Kjo tregon se mediat në Turqi, në garë për klikime, kanë braktisur etikën dhe verifikimin.

 

Paralizë ekonomike dhe ikja e heshtur e të rinjve

 

Modeli ekonomik i gazetarisë në Ballkanin Perëndimor paraqet të njëjtat simptoma – me theks të veçantë te varfëria e profesionit dhe eksodi i të rinjve.

 

Lejla Turcilo, profesoreshë në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Sarajevës, tha se studentët që regjistrohen në gazetari bëjnë dy pyetje themelore: “A do të mbijetojë gazetaria deri sa të diplomojmë?” dhe “Çfarë fitoj unë nga kjo?”

 

Ajo paraqiti shifra alarmuese për Bosnjën dhe Hercegovinën: pagat neto për gazetarët variojnë nga 600 KM (305 €) deri në 1,700 KM (865 €). Paga më e ulët mbulon vetëm 25% të shportës konsumatore, ndërsa më e larta arrin 57%.

 

“Të gjitha këto probleme që i përmenda teorikisht – presioni politik, situata ekonomike, kushtet e këqija të punës – në Bosnje e Hercegovinë janë të shumëzuara me dhjetë,” përmblodhi ajo.

 

Pagat e ulëta, rreziqet e larta dhe kushtet e këqija e bëjnë gazetarinë një profesion të varfër dhe pa perspektivë për të rinjtë. Edhe në Turqi, studimet tregojnë se studentët e shmangin gazetarinë sepse është “e kriminalizuar, shumë e rrezikshme dhe keq e paguar.” Turcilo shtoi se brezat e gazetarëve që kujtojnë “kohën para Google (BG-before Google)” përpiqen të përshtasin botën e re në “kuti të vjetra,” ndërsa audiencat e reja ndjekin blogerë, influencues dhe podkaste.

 

“Bukuroshja e fjetur” dhe imperativi revolucionar

 

Teksa ekonomia shembet dhe presioni politik shtohet, mediat në rajon mbeten pasive, duke pritur – siç tha Zhaneta Trajkoska nga Maqedonia e Veriut – “të korruptohen dhe të klientelizohen.”

 

Trajkoska, drejtoreshë dhe profesoreshë në Institutin e Studimeve të Komunikimit në Shkup, e përshkroi skenën mediatike me një metaforë të fuqishme: “Situata e mediave është si në përrallë – e një bukurosheje të fjetur. Vetëm presin.”

 

Pasiviteti ka pasoja të drejtpërdrejta: mediat ia kanë dorëzuar agjendën publike partive politike, të cilat tani “kanë redaksitë e tyre, rrjetet e tyre sociale, podkastet e tyre.”  Sipas saj, “aktorët politikë kanë anashkaluar plotësisht gazetarët dhe kanë marrë rolin e tyre në shoqëri.” Prandaj ajo bëri thirrje për një kthesë radikale.

 

“Mendoj se gazetaria mund të mbijetojë në ndonjë formë që e njohim sot, nëse bëjmë diçka më shumë – jo evolucion, por revolucion.” Çelësi i këtij revolucioni, sipas saj, qëndron në daljen nga flluskat ku kanë funksionuar akademia, shoqëria civile dhe vetë mediat. “Duhet të lidhemi – pa para, pa donatorë,” apeloi ajo.

 

Rezistenca dhe mësimi nga publiku: Një shembull nga Sllovenia

 

Në betejën kundër kapjes politike të mediave publike, përvoja e Helena Milinkoviq nga RTV Sllovenia ofron një shembull të rrallë të rezistencës sindikale dyvjeçare me sukses.

 

Pas përpjekjeve të qeverisë së Janez Jansha-s për të marrë kontrollin e transmetuesit publik në vitin 2020, gazetarët dhe punëtorët e mediave “nuk fjetën.”

 

Ideja qendrore ishte që gazetarët nuk duhet të luftojnë vetëm, por të mobilizojnë rrjete më të gjera – juristë, akademikë, organizata të shoqërisë civile – sepse “askush nuk mund të mbijetojë i vetëm.”
Milinkoviq paralajmëroi se “rreziku po rritet” dhe se gazetarët punojnë nën “ngacmime, kërcënime dhe mbikëqyrje të vazhdueshme.” Mesazhi kryesor i rezistencës ishte: mos e nënvlerësoni publikun.

 

“Ne gjithmonë mendojmë se jemi më të mençurit. Jo, ata dinë shumë. Mos flisni vetëm për problemin tuaj – gjeni problemin e tyre brenda problemit tuaj, që ata të mund të identifikohen me të.” Kjo strategji dha rezultat: në referendumin për Ligjin mbi RTV Slloveninë, 70% e qytetarëve votuan pro, një fitore që u arrit duke dëgjuar qytetarët jashtë kryeqytetit. “Taktika jonë ishte: Ne jemi si kërpudhat. Jemi kudo. Dhe kur përpiqen të na heshtin, ne rritemi diku tjetër. Nuk mund të na heshtin të gjithëve njëherësh.”

 

Lufta për audiencën e re dhe humanizmin i ri

 

Linja e fundit e mbrojtjes për gazetarinë qëndron te aftësia për t’u përshtatur me audiencën, vëmendja e së cilës po shkurtohet në minimum. Milinkoviq theksoi se koha e vëmendjes së të rinjve është zvogëluar ndjeshëm:

 

“Kur isha studente, ishte rreth dhjetë sekonda. Tani është rreth një sekondë e gjysmë.”Kjo kërkon riformatizim të mediave, sepse nëse ato vazhdojnë “në mënyrën e vjetër”, gazetaria do të kthehet “në një makinë tjetër propagande.”

 

Në përmbyllje, Remzi Lani, drejtor i Institutit Shqiptar të Medias, ofroi një analizë më të gjerë filozofike, duke përfunduar se peizazhi mediatik i Ballkanit Perëndimor është i bllokuar në tranzicion dhe se po përballemi me një kundërrevolucion.

 

Ai e vendosi konfliktin aktual mes “Humanizmit të Ri” dhe “Humanizmit të Vjetër.” Humanizmi i Vjetër, nga Dekarti te Iluminizmi, kërkonte ta çlironte njeriun nga teologjia.  “Humanizmi i Ri përballet me sfidën e njeriut individual përballë teknologjisë.”

 

Kjo do të thotë se lufta e gazetarisë sot nuk është më vetëm kundër politikanëve apo oligarkëve, por edhe kundër algoritmeve dhe censurës digjitale, që po riformësojnë vetë vëmendjen njerëzore.

 

 

Në kontekstin e studimit “E ardhmja e mediave në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi”, realizuar nga SEENPM, që thekson mungesën e modeleve të qëndrueshme të biznesit dhe lidhjet e rrezikshme mes mediave dhe pushtetit, përfundimet e panelit përbëjnë një thirrje të qartë për veprim.

 

 

Rreth programit rajonal “Our Media”:  Programi rajonal “Our Media: Veprim i shoqërisë civile për të nxitur edukimin mediatik dhe aktivizmin, për të kundërshtuar polarizimin dhe për të promovuar dialogun” zbatohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian nga organizatat partnere: SEENPMInstituti Shqiptar i MediasQendra Mediale në SarajevëKëshilli i Mediave të Shkruara i KosovësInstituti Mediatik i Malit të ZiInstituti i Medias i MaqedonisëShkolla e Gazetarisë Novi SadInstituti i Paqes dhe Bianet.

 

Ky artikull u realizua me mbështetje financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi ekskluzive e SEENPM dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

 

Ko-Financuar nga:

 

Add Comment

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *