Integriteti i zgjedhjeve është drejtpërdrejt i lidhur me integritetin e informacionit që marrin qytetarët. Dhe ky informacion kalon, në pjesën më të madhe, nëpërmjet mediave.
Imer Mushkolaj
Në çdo proces zgjedhor mediat luajnë një rol vendimtar. Jo vetëm si kanale për transmetimin e informacioneve apo për përcjelljen e qëndrimeve të subjekteve politike, por edhe si aktorë të drejtpërdrejtë në krijimin e opinionit publik. Në një shoqëri demokratike, zgjedhjet e lira e të ndershme nuk mund të konceptohen pa media profesionale, të pavarura dhe të orientuara drejt interesit publik. Në këtë kuadër, raportimi etik bëhet më shumë se një standard profesional – bëhet një kusht i domosdoshëm për vetë legjitimitetin e zgjedhjeve.
Në prag të çdo fushate ngrihen dilemat: a do të arrijnë mediat t’i përballojnë presionet politike, interesat financiare, tendencat propagandistike dhe etiketimet e vazhdueshme që vijnë nga aktorët politikë? Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) ka publikuar së fundi udhëzuesin për raportim etik zgjedhor, duke rikujtuar se misioni i gazetarit nuk është të bëjë fushatë për njërën apo tjetrën palë, por të mbrojë qytetarin duke i ofruar informacion të saktë, të balancuar dhe të verifikuar. Ky udhëzues është një përpjekje për të vendosur një kornizë të qartë profesionale dhe morale, në kohën kur garat elektorale shpesh e deformojnë natyrën e gazetarisë.
Në thelb, raportimi etik në zgjedhje lidhet me tri parime themelore: barazinë e trajtimit të subjekteve politike, transparencën e burimeve dhe verifikimin e fakteve. Një media që e favorizon hapur njërin subjekt politik, që publikon lajme pa burime të sigurta ose që bie pre e “fake news” jo vetëm që dëmton reputacionin e vet, por edhe cenon integritetin e gjithë procesit zgjedhor. Në një vend si Kosova, ku polarizimi politik është i thellë dhe tensionet shpesh shndërrohen në gjuhë urrejtjeje, përgjegjësia e mediave është shumë më e madhe se në shoqëritë e konsoliduara demokratike.
Roli i mediave nuk kufizohet vetëm në raportimin e fushatës. Ato janë gardiane të llogaridhënies. Një media që i hap mikrofonin secilit kandidat, pa bërë pyetje të vështira, nuk është duke kryer detyrën e saj, por thjesht duke shërbyer si platformë marketingu. Për të qenë të besueshme, mediat duhet të ruajnë distancën kritike me politikën dhe të mos bien në grackën e spektaklit elektoral.
* * *
Udhëzuesi i KMShK-së, ndonëse nuk ka forcë ligjore, ka një peshë të madhe morale. Ai u kujton gazetarëve dhe redaktorëve se etika nuk është luks, por mburojë. Mburojë nga akuzat, nga përpjekjet për manipulim dhe nga tentativat për diskreditim. Në këtë kuptim, një media që e respekton etikën i mbron jo vetëm qytetarët, por edhe vetveten.
Por sa të gatshme janë mediat tona ta zbatojnë këtë udhëzues? Realiteti është i ashpër: shumë media përballen me presione financiare e politike, varësi nga reklamat, pronarë me interesa politike dhe mungesë burimesh njerëzore. Në këto kushte, gazetarët shpesh mbeten të pambrojtur, të ekspozuar ndaj tundimeve për të anuar nga një subjekt apo për të publikuar një lajm pa e verifikuar siç duhet. Prandaj, përveç udhëzuesve etikë, është jetike të ketë mbështetje konkrete për median e pavarur.
Zgjedhjet nuk janë vetëm akt i votimit. Ato janë proces i gjatë informimi, debatimi dhe reflektimi. Nëse ky proces ndërtohet mbi lajme të rreme, mbi sensacionalizëm dhe mbi fushata të orkestruara propagandistike, atëherë edhe rezultati i zgjedhjeve mbetet i kontestueshëm. Integriteti i zgjedhjeve është drejtpërdrejt i lidhur me integritetin e informacionit që marrin qytetarët. Dhe ky informacion kalon, në pjesën më të madhe, nëpërmjet mediave.
Është e vërtetë që përgjegjësia kryesore për zgjedhje të lira bie mbi institucionet – Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, policinë, gjykatat. Por pa media që raportojnë me korrektësi, që denoncojnë shkeljet dhe që nuk frikësohen nga pushteti, procesi zgjedhor mbetet i cunguar. Në këtë kuptim mediat janë pjesë e pandashme e arkitekturës demokratike, njësoj si subjektet politike dhe institucionet.
Një element i rëndësishëm është raportimi i përgjegjshëm për opinionet e qytetarëve të zakonshëm. Shpesh mediat fokusohen vetëm te deklaratat e liderëve dhe tubimet, duke harruar që zgjedhjet janë të qytetarëve, jo të partive. Një gazetari e ndershme duhet të japë hapësirë për zërat kritikë, për shqetësimet sociale, për nevojat ekonomike dhe për problemet e komuniteteve. Vetëm kështu raportimi bëhet i plotë dhe i dobishëm për votuesin.
Në fund të fundit, sfida e mediave në zgjedhje nuk është vetëm të pasqyrojnë atë që ndodh, por të ndihmojnë qytetarin të kuptojë çfarë ka realisht rëndësi. Nëse lajmet shndërrohen në betejë titujsh të bujshëm, nëse analiza politike reduktohet në gjuhë tifozësh dhe nëse gazetarët bëhen pjesë e fushatës, atëherë media humb misionin e saj.
Mediat me integritet i japin kuptim zgjedhjeve me integritet. Etika nuk është një listë rregullash abstrakte, por një kontratë e heshtur mes gazetarit dhe publikut. Një kontratë që thotë: “Unë nuk do të manipuloj, nuk do të gënjej, nuk do të bëhem zëdhënës i askujt. Do të mbroj të drejtën tënde për të ditur të vërtetën”. Vetëm me këtë kontratë të respektuar mund të kemi zgjedhje që reflektojnë realisht vullnetin e qytetarëve.

(Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Media Jonë”. Qëndrimet dhe opinionet e shprehura në këtë punim i përkasin vetëm autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimet dhe opinionet e Bashkimit Evropian. Projekti rajonal “Media Jonë: Nismë për Avancimin e Edukimit Medial, Dialogut dhe Aktivizmit” zbatohet me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian nga organizatat partnere: SEENPM, Instituti Shqiptar i Medias, Qendra Mediale në Sarajevë, Këshilli i Mediave të Shkruara i Kosovës, Instituti Mediatik i Malit të Zi, Instituti i Medias i Maqedonisë, Shkolla e Gazetarisë Novi Sad, Instituti i Paqes dhe Bianet.)
Add Comment