Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) në mbledhjen e rregullt ka shqyrtuar gjithsej shtatë ankesa. Anëtarët e Kuvendit të KMShK-së kanë vendosur që të miratohen tri nga to, një të miratohet pjesërisht dhe tri të refuzohen.
Ankesat kishin të bënin me pretendimet për shkeljen e kapitujve të caktuar të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, përkatësisht Kapitullit II – Raportimi i së vërtetës, Kapitullit IV – E drejta për t’u përgjigjur dhe Kapitullit VII – Privatësia dhe mbrojtja e burimeve.
KMShK ka miratuar ankesën e Postës dhe Telekomit të Kosovës kundër Indeksonline.net për shkrimin “Menaxhmenti i Telekomit edhe një milion euro për një kompani të huaj, a është kurdisur?”, duke konstatuar se është shkelur Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me raportimin e së vërtetës.
KMShK ka miratuar ankesën e Postës dhe Telekomit të Kosovës kundër Indeksonline.net për të njëjtin shkrim, përkatësisht reagimin ndaj shkrimit, duke konstatuar se është shkelur Kapitulli IV i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me të drejtën për t’u përgjigjur.
KMShK ka miratuar ankesën e Bleona Kurteshit kundër Paparaci.com për publikimin e videos së një akti të vetëvrasjes, duke konstatuar se është shkelur Kapitulli VII i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me privatësinë.
KMShK ka miratuar pjesërisht ankesën e Shqipe Mujaj kundër Indeksonline.net dhe faqeve në Facebook Istogu Sot, Al Press dhe Kanal 10 për shkrimin me titull “Arrestohet një mësimdhënëse nga Istogu, ia theu krahun kunatës së saj”, duke konstatuar se është shkelur Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me raportimin e së vërtetës, por jo edhe Kapitulli VII, i cili ka të bëjë me privatësinë.
KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Shpend Haxhibeqirit kundër Nacionale.com për shkrimin me titull “Raportimet e Nacionales, Shpend Haxhibeqiri s’do të jetë më drejtor i IPFK-së”, duke konstatuar se nuk është shkelur Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, siç pretendon pala ankuese.
KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) kundër Reporteri.net për shkrimin me titull “Pas vendimit, drejtori i RTK-së urdhëron edhe sigurimin që 5 gazetarëve të mos u lejohet hyrja në studio për prezantim”, duke konstatuar se nuk janë shkelur kapitujt II dhe IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, siç pretendon pala ankuese.
KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Driton Kastratit kundër Arbresh.info për video lajmin me titull “Shoferi i autobusit në rrugën Gjilan-Prishtinë bën tejkalim në vijë të plotë, rrezikon jetën e qytetarëve”, duke konstatuar se nuk është shkelur Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, siç pretendon pala ankuese.
Në mbledhjen e rregullt KMShK ka pranuar anëtar median online Autoportali.com.

Add Comment