Gazetaria dhe Inteligjenca Artificiale do të vazhdojnë të bashkëjetojnë. Dhe AI nuk duhet të konsiderohet më shumë sesa aq sa është – mjet ndihmës që mund të përkrah efikasitetin dhe shpejtësinë e punës, por jo të zëvendësojë gazetarët si qenie të afta për të gjykuar.
Autore: Leonora Aliu
Që të jem e sinqertë me ju, ky shkrim nuk është prej atyre që e kam shkruar me lehtësi. Jo për nga natyra e shkrimit, por për shkak të pasigurisë që, tema që po tentoj të trajtoj, ka ngjallë jo vetëm tek komuniteti i gazetarëve dhe hulumtuesve, por edhe politikëbërësve dhe vendimmarrësve botërorë – Inteligjenca Artificiale (AI) dhe relacioni me gazetarinë.
Diskursi publik për këtë temë është i ndarë kryesisht ndërmjet optimistëve dhe skeptikëve. Në grupin e parë kryesisht bëjnë pjesë ata të cilët jo vetëm që shohin përfitimet nga modelet e gjëra gjuhësore (në anglisht të njohura si LLM), por edhe kanë aftësi t’i përdorin dhe në të dytin ata që i shohin këto modele teknologjike të kërkimit e përpunimit si rrezik.
Nëse më pyesni se në cilin grup bëj pjesë unë, do t’ju them asnjërin. Mendimi im, të cilin po tentoj të shtjelloj tutje në këtë shkrim, mund të gjendet diku në mesin e trajektores që ndan optimistët dhe pesimistët, për disa arsye.
Por përpara se t’i prezantoj ato, le të rishikojmë disa koncepte bazë.
Inteligjenca Artificiale nuk është koncept i ri
Studiuesi amerikan i inxhinierisë kompjuterike, John McCarthy njihet si një ndër themeluesit e konceptit të “Inteligjencës Artificiale” më 1955. Ai e quante AI-në, “shkencën dhe inxhinierinë e krijimit të makinave inteligjente”. Në vitin 1956, përgjatë konferencës së Dartmouth, ai e prezantoi termin “inteligjencë artificiale” për herë të parë para publikut si një disiplinë të kërkimit shkencor.
Pra, Inteligjenca Artificiale nuk është koncept i ri.
Ky koncept i kërkimit dhe krijimit inxhinierik është hulumtuar dhe përpunuar në atë formë, siç e përshkruante McCarthy, për të zgjidhur probleme të njerëzimit dhe si koncept i tillë për shtatë dekada më radhë ishte prezent në motorët gjeneralë që zhvilluan industritë e shumta, mjekësi, sferën e komunikimit etj.
Gazetaria dhe evolucioni teknologjik
Gazetaria nuk është profesion statik. Është profesion i formuar historikisht nga evoluimi teknologjik. Dhe ky është definicioni të cilin mund ta citoj çdo student i vitit të parë të studimeve në gazetari. Funksioni i gazetarisë nga informimi në mbikëqyrëse, duke siguruar transparencë nëpërmjet informimit të saktë, llogaridhënies dhe ndërgjegjësimit publik për çështje me interes publik, nuk besoj se do shumë shpjegim. Ky rol mund të gjurmohet lehtësisht deri të format më të hershme të komunikimit publik, si në demokracinë e Greqisë së lashtë ku debati publik dhe informimi ishin qendror për jetën publike dhe politike. Si profesion, gazetaria megjithatë filloi të formësohej vetëm pas shpikjes së shtypshkronjës, që mundësoi prodhimin masiv të informacionit në formën e shkruar. Ndikimin politik të këtij inovacioni të asaj kohe e kuptojmë veçanërisht përgjatë Revolucionit Francez. Eseja politike “Çka është shtresa e tretë” e Emmanuel Joseph Sieyès (1789) u printua dhe shpërnda në afro 80 mijë kopje ndërmjet viteve 1788-1792. Në mesin e viteve të 90’ta, që ndryshe njihen si vitet e arta të gazetarisë, ishte pikërisht interneti që mundësoi të ashtuquajturin proces të demokratizimit të informacionit. Kjo nënkuptonte qasje gjithëpërfshirëse në informacion, shpërndarje të menjëhershme të informacionit në nivel global dhe lajme interaktive.
Pra, siç na tregon historia, gazetaria dhe teknologjia kanë bashkëjetuar përherë dhe do të vazhdojnë të bashkëjetojnë.
Pyetja atëherë është kjo: a është inteligjenca artificiale si prodhim teknologjik, mik apo armik i gazetarisë?
Nëse do të argumentonim nga perspektiva e optimistëve, mendoj se disa aspekte do të ishin me rëndësi të potencohen. Për shembull, programe të AI iu mundësojnë gazetarëve si përdorues potencialë qasjen në analiza më të shpejta të të dhënave, pra shkurtim të kohës së punës, qasje në informacione globale dhe mundësi më të shpejtë për verifikim të informatave nëpërmjet mjeteve të verifikimit. Pesimistët, nga ana tjetër, me siguri do të argumentonin, me të drejtë, se AI po krijon varësi dhe ngushton kapacitetet e gazetarëve si përdorues potencialë për të analizuar dhe kuptuar të dhëna të caktuara. AI po mundëson edhe prodhimin dhe shpërndarjen e lajmeve të rreme ose pjesërisht të rreme, apo edhe po krijon halucinacione rreth të vërtetës, si dhe, kjo ndoshta më e rëndësishmja, AI ka mungesë të gjykimit njerëzor dhe etikës në raportim.
Nga perspektiva e dikujt që nuk bën pjesë plotësisht as në grupin e optimistëve dhe as pesimistëve, do të bëja këtë pyetje: meqenëse të gjitha aspektet qoftë negative, qoftë pozitive të lartpërmendura kanë ekzistuar në gazetari edhe më parë, pse atëherë vetëm tani jemi duke u brengosur kaq shumë për ndikimin e Inteligjencës Artificiale në media?
Unë mendoj që përgjigjja në këtë është lehtësisht e deshifrueshme: rreziku për vendet e punës së gazetarëve.
Pandemia e shkaktuar nga virusi Covid-19 globalisht përshpejtoi, sipas vlerësimit të ekspertëve, për pesë vite evoluimin e ri të Inteligjencës Artificiale dhe inkorporimit të saj në përditshmërinë tonë. Dhe Inteligjenca Artificiale sot, për dallim prej disa dekadave më parë, prezanton edhe aftësinë e gjenerimit të përmbajtjeve. Një punë që përherë ka qenë ekskluzive për punonjësit në media: gazetarë, fotografë, kameramanë, dizajnerë etj.
Organizatat mediatike kanë integruar tashmë AI-në në rrjedhat e punës. Për shembull, Associated Press ka lansuar përdorimin e AI-së për prodhimin e raporteve rutinë, raporteve të të ardhurave financiare dhe për të krijuar përmbledhje sportive, për të përkthyer informata si dhe mjete për të verifikuar informata e përmbajtje të caktuara. Të gjitha këto duke e rritur prodhimin dhe duke e ulur koston. Në artikullin “Cut the crap: a critical response to ChatGPT is bullshit” (2025), autorët David Gunkel dhe Simon Coghlan, të dy studiues në fushën e etikës në teknologji, argumentojnë se përshkrimi i ChatGPT si “bullshit” (nga anglisht dhe mund të përshtatet si: broçkulla”), është i pasaktë dhe tepër i thjeshtësuar. Autorët theksojnë se ChatGPT, si program që komunikon nëpërmjet gjuhës, respektivisht tekstit, nuk mund të konsiderohet si agjent moral apo epistemik (për dallim nga gazetarët) pasi që, sipas tyre, programi nuk ka qëllime, besime apo ndjeshmëri ndaj së vërtetës dhe prandaj nuk mund të “gënjejë”. Në vend të kësaj, autorët argumentojnë se problemi kryesor do të qëndrojë tek mënyra e përdorimit nga njerëzit.
Dhe ky argument na çon pikërisht tek qëndrimi im, as optimist e as pesimist, por më realist do të thoja.
Gazetaria dhe Inteligjenca Artificiale do të vazhdojnë të bashkëjetojnë. Dhe AI nuk duhet të konsiderohet më shumë sesa aq sa është – mjet ndihmës që mund të përkrah efikasitetin dhe shpejtësinë e punës, por jo të zëvendësojë gazetarët si qenie të afta për të gjykuar.
Vetëm gjykimi i drejtë i informacioneve dhe etika e lartë profesionale e raportimit do të mund të shpëtojnë besimin, ndikimin dhe jetëgjatësinë e gazetarisë, në shoqëritë që sot dominohen nga informacionet e shpejta. Prandaj, në vend të investimit në optimizëm dhe pesimizëm të tepërt, diskutimi do të duhej të përqendrohet në hapat emergjentë për të forcuar gazetarët dhe mediat në ballafaqimin me sfidat që koha po ua prezanton. Kjo nënkupton investim në hulumtime që na japin një pasqyrë të qartë të asaj se si profesioni dhe ndikimi i tij nëpërmjet AI-së po ndryshon, si dhe investim në ruajtjen e punonjësve medialë dhe roleve të tyre jetike në gjykimin e drejtë dhe etik të informacioneve multimediale që shpërndahen nëpërmjet mediave, nëpërmjet edukimit konstant në kuptimin dhe përdorim e mjeteve të reja të AI-së, investim në mjete të verifikimit dhe edukimit për përdorimin e tyre. Dhe krahas kësaj edukim të audiencës duke inkorporuar edukimin medial e teknologjik në arsimin publik.
Këto prioritete nuk duhet të jenë vetëm prioritete të organizatave mediale dhe anëtarëve të tyre, por të çdo shoqërie që ka për vizion drejtësinë sociale edhe demokracinë. Politika tashmë ka përvetësuar më shumë se që duhet nga mundësitë e reja të kontrollit, manipulimit dhe përvetësimit të sferës publike dhe informacionit. Prandaj, energjia jonë duhet urgjentisht të adresohet tek përgjigjja ndaj kësaj.

(Autorja është gazetare, sociologe dhe specialiste e medias dhe marrëdhënieve me publikun. Ishte pjesëmarrëse në Akademinë Rajonale për Liderët e Ardhshëm, një aktivitet i projektit “Media Jonë”. Programi rajonal “Media Jonë: Një veprim i shoqërisë civile për të gjeneruar njohuri mediale dhe aktivizëm, për të luftuar polarizimin dhe për të promovuar dialogun” është zbatuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian nga organizatat partnere SEENPM, Instituti Shqiptar i Medias, Mediacentar Sarajevë, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, Instituti Malazez i Medias, Instituti Maqedonas për Median, Shkolla e Gazetarisë në Novi Sad, Instituti i Paqes dhe Bianet. Ky artikull u prodhua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian).
Add Comment