Parashtro ankesën

Konferenca “Media Jonë”: Liria e shprehjes në kohë krizash

Konferenca dyditore mblodhi së bashku më shumë se 70 profesionistë të medias dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, të përkushtuara ndaj lirisë së medias.

 

Foto: Mirza Ajnaxhiq / Mediacentar Sarajevo

 

Liria e shprehjes, e ardhmja e gazetarisë në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi, dilemat etike që lidhen me përdorimin e mediave sociale për qëllime të shoqërisë civile dhe përmirësimi i bashkëpunimit ndërmjet gazetarëve, aktivistëve dhe qytetarëve ishin ndër temat e diskutuara në konferencën ndërkombëtare “Our media” / “Media Jonë”, mbajtur në Fakultetin e Shkencave Politike në Sarajevë.

 

Konferenca dy-ditore mblodhi së bashku më shumë se 70 profesionistë të medias dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, të përkushtuara ndaj lirisë së medias. Ngjarja u organizua nga Rrjeti i Evropës Juglindore për Profesionalizimin e Medias (SEENPM) dhe Mediacentar Sarajevo.

 

Konferenca është vazhdim i një projekti rajonal me të njëjtin emër, i nisur në vitin 2023, i cili përfshin hulumtimin mbi të ardhmen e trendeve të medias dhe gazetarisë, si dhe diskutime mbi çështje të tjera të rëndësishme, të tilla si qëndrueshmëria e medias së pavarur, presionet mbi lirinë e shprehjes dhe aktivizmi mediatik lokal nga qytetarët në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi.

 

 

Bota në vitin 2023, kur organizatat partnere nisën projektin “Our Media”, ishte një vend i ndryshëm nga ai që është sot, tha Maida Muminoviq, Drejtore Ekzekutive e Fondacionit Mediacentar Sarajevë. Organizatat e shoqërisë civile që punojnë për të mbrojtur lirinë e shprehjes, si dhe media e pavarur, po kalojnë një periudhë presioni dhe pasigurie në rritje.

 

“Në konferencë vendosëm të përqendrohemi në çështjet globale që ndikojnë në rajonin tonë, si dhe në çështjet urgjente në Ballkanin Perëndimor dhe në zhvillimet globale që ngrenë shqetësime në lidhje me të ardhmen e të drejtave të njeriut në të gjithë botën”, tha Muminoviq.

 

Gjatë konferencës, u prezantuan edhe rezultatet e një studimi rajonal mbi të ardhmen e medias dhe ndikimin e gazetarisë profesionale në demokratizimin e shoqërisë. Gjetjet treguan se gazetarët në rajon vazhdojnë të përballen me presion dhe kërcënime, të marrin paga të ulëta, ndërkaq gratë që punojnë në media rrallë arrijnë pozicione drejtuese. Interesi në mesin e të rinjve për të studiuar komunikimin është në rënie të vazhdueshme, ndërsa nga ana tjetër, numri i mediave vazhdon të rritet vit pas viti.

 

“Trendet mediatike janë pothuajse të njëjta në të gjithë rajonin dhe në përgjithësi tregojnë presionin e fortë me të cilin përballen mediat, veçanërisht ato të pavarura dhe ato më të vogla lokale. Po përballemi me një të ardhme të pasigurt, gjë që e bën edhe më të rëndësishme që organizatat e shoqërisë civile të lidhen. Kjo është arsyeja pse jemi të kënaqur që arritëm ta organizojmë këtë ngjarje rajonale dhe, deri diku, ndërkombëtare”, tha Tihomir Loza, drejtor i SEENPM, një rrjet prej 18 organizatash mediatike nga Evropa Juglindore.

 

 

Përveç sfidave sociale dhe ekonomike me të cilat po përballen aktualisht gazetarët, jo vetëm në rajon, por në të gjithë botën, siç janë censura dhe raportimi i anshëm mbi Gazën, mbyllja e mediave dhe zvogëlimi i fondeve për median e pavarur, konferenca trajtoi edhe ndikimin e teknologjive të reja.

 

Bashkëpunëtorja për kohë të gjatë e SEENPM-së dhe ekspertja e medias nga Beogradi, Snjezhana Milivojeviq, në prezantimin e saj, trajtoi çështjen e teknologjisë, duke e përshkruar atë si sfidën më të madhe për median, gazetarinë dhe interesin publik brenda ekosistemit të informacionit. “Më pëlqen të them se, siç na kujtojnë gjithmonë teoricienët kritikë, teknologjia nuk e ndryshon botën kur shfaqet për herë të parë, por kur të gjithë fillojnë ta përdorin atë. Ne jemi mësuar me të dhe është bërë pjesë e jetës sonë të përditshme”, tha Milivojeviq.

 

 

Projekti “Media Jonë” financohet nga Bashkimi Evropian, me mbështetje shtesë për konferencën ofruar nga Fondacionet e Shoqërisë së Hapur për Ballkanin Perëndimor. Deri në fund të projektit do të vazhdojë hulumtimi mbi të ardhmen e medias dhe do të zgjerohet platforma ekzistuese e të mësuarit online mbi edukimin mediatik. Përveç kësaj, udhëheqës të rinj dhe aktivistë të medias nga rajoni do të marrin pjesë në vizita studimore në të gjithë Evropën për të zhvilluar më tej aftësitë e tyre dhe për t’i zbatuar ato brenda komuniteteve të tyre lokale.

 

Rreth programit rajonal “Our Media”:  Programi rajonal “Our Media: Veprim i shoqërisë civile për të nxitur edukimin mediatik dhe aktivizmin, për të kundërshtuar polarizimin dhe për të promovuar dialogun” zbatohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian nga organizatat partnere: SEENPMInstituti Shqiptar i MediasQendra Mediale në SarajevëKëshilli i Mediave të Shkruara i KosovësInstituti Mediatik i Malit të ZiInstituti i Medias i MaqedonisëShkolla e Gazetarisë Novi SadInstituti i Paqes dhe Bianet.

 

Ky artikull u realizua me mbështetje financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi ekskluzive e SEENPM dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

 

Ko-financuar nga:

 

Add Comment

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *