Duke respektuar kodet e etikës mediat kontribuojnë në luftimin e dezinformimit dhe lajmeve të rreme. Kështu u tha në punëtorinë “Luftimi i lajmeve të rreme dhe dezinformimit: Etika në media gjatë fushatave zgjedhore”, organizuar nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) dhe Misioni i OSBE-së në Kosovë.
Përfaqësues të KMShK-së, Komisionit të Pavarur për Media (KPM), Asociacionit të Gazetarëve të Ksoovës (AGK) dhe profesionistë të tjerë të mediave diskutuan të martën për rolin e mediave në luftimin e dezinformimit gjatë fushatave zgjedhore, por edhe për qasjet praktike dhe ligjore, siç janë metodat e verifikimit të fakteve, përgjegjësitë etike në rrjetet sociale, si dhe mekanizmat ligjorë për adresimin e lajmeve të rreme dhe propagandës gjatë fushatave zgjedhore.
Pascale Roussy, drejtoreshë e Departamentit të Demokratizimit në Misionin e OSBE-së në Kosovë, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit për të adresuar dezinformimin. “Çdo ditë përballemi ose jemi të përballur me lajme të rreme, dezinformim dhe propagandë. Natyrisht, në atmosferën e ngarkuar të fushatës zgjedhore që po afron, kjo është diçka që të gjithë duhet ta adresojmë së bashku”, tha ajo.
Brikenda Rexhepi, kryetare e KMShK-së, foli për përgjegjësitë e mediave për raportim të drejtë dhe etik. Ajo, po ashtu, foli për vështirësitë me të cilën përballen mediat për të raportuar në mënyrë etike, përballë rrjeteve sociale dhe faqeve të tjera online, të cilat nuk janë media.
Ndërkaq Xhemajl Rexha, kryetar i AGK-së foli per sfidat e gazetarëve gjatë raportimit në fushata zgjedhore. Ai bëri thirrje që mediat dhe gazetarët të mos bëhen palë në zgjedhje. si dhe që gazetarëve t’u sigurohet qasje e barabartaëpër për të raportuar nga tubimet partiake. “Është shumë e rëndësishme që gazetarët të jenë në terren dhe të shohin dhe raportojnë vetë për atë që ndodh, për ato çfarë politikanët premtojnë, për pjesëmarrjen e qytetarëve në tubime zgjedhore”, theksoi ai.
Kryetari i KPM-së, Besnik Berisha, tha se gazetarët duhet të jenë besnikë ndaj profesionit të tyre dhe zëri i tyre të mos manipulohet. Ai theksoi se roli i KPM-së nuk është vetëm rregullator, por edhe edukues dhe mbështetës i mediave që ndjekin etikën profesionale.
Ndërkaq Darko Dimitrijeviq, drejtor i Radio Gorazhdevcit, foli për sfidat e mediave lokale pëer të raportuar në zgjedhje, duke vënë theksin në kushtet e pavaforshme të të cilat këto media funksionojnë.
Kreshnik Gashi, redaktor menaxhues i Kallxo.com diskutoi për rrezikun e dezinformimit nga jashtë. Sipas tij, institucionet janë prodhuesit më të mëdhenj të dezinformatave.
Kurse Betim Musliu, zëvendësdrejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, diskutoi për kornizën ligjore dhe përgjegjsitë që kanë mediat gjatë raportimit, por edhe për sfidat me të cilat ato ballafaqohen në hapësirën online.
Imer Mushkolaj, drejtor ekzekutiv i KMShK-së, prezantoi udhëzuesin për raportim etik në zgjedhje, prodhuar nga KMShK me mbështetjen e Bashkimit Evropian.
Add Comment