Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) në mbledhjen e rregullt ka shqyrtuar gjithsej 18 ankesa. Anëtarët e Kuvendit të KMShK-së kanë vendosur që të miratohen dy nga to, pesë të miratohen pjesërisht, nëntë të refuzohen, një të shpallet e paafatshme dhe një tjetër e pajtrajtueshme.
Ankesat kishin të bënin me pretendimet për shkeljen e kapitujve të caktuar të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, përkatësisht Kapitullit I – Dispozitat e përgjithshme, Kapitullit II – Raportimi i së vërtetës, Kapitullit III – Nxitja dhe gjuha e urrejtjes, Kapitullit IV – E drejta për t’u përgjigjur, Kapitullit V – Personat e përfshirë në incidente, aksidente, të arrestuar apo të akuzuar për vepra penale dhe Kapitullit VII – Privatësia dhe mbrojtja e burimeve.
KMShK ka miratuar ankesën e Emin Racit kundër Periskopi.com për fotografinë me titull “Çfarë mendimi keni për Bajqinovct?”, duke konstatuar se është shkelur Kapitulli II, i cili ka të bëjë me raportimin e së vërtetës.
KMShK ka miratuar ankesën e Arta Müller kundër Sinjali.com për shkrimin me titull “Ekskluzive: M’i jep 20 mijë euro ose ia dërgoj familjes fotot intime të vajzës tënde – Asistentja e një avokature në Pejë denoncon shantazhin tronditës në Polici”, duke konstatuar se është shkelur kapitulli VII i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me privatësinë.
KMShK ka miratuar pjesërisht ankesën e Dren Pacës kundër Insajderi.org për shkrimin me titull “Nga ‘prokuror i vogël’ drejt në Speciale – ngritja e dyshimtë e Dren Pacës në hierarkinë e shtetit”, duke konstatuar se është shkelur Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me raportimin e së vërtetës, por jo edhe kapitujt III dhe IV që kanë të bëjnë nxitjen dhe gjuhën e urrejtjes, përkatësisht të drejtën për t’u përgjigjur, ashtu siç pretendon pala ankuese.
KMShK ka miratuar pjesërisht ankesën e OJQ Aktiv kundër Kosovapress.com, Telegrafi.com, Botasot.info, Njeshi.com dhe Diasporashqiptare.al për shkrimin me titull “Kuçi: Në veri po bëhet luftë hibride për të dobësuar institucionet e Kosovës”, duke konstatuar se janë shkelur kapitujt II dhe IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht të drejtën për t’u përgjigjur, por jo edhe Kapitulli III, i cili ka të bëjë me nxitjen dhe gjuhën e urrejtjes, siç pretendon pala ankuese.
KMShK ka miratuar pjesërisht ankesën e CARITAS Kosova kundër Veriu.info për shkrimin me titull “Dyshime për kurdisje të tenderit 2 milionësh nga Komuna e Fushë Kosovës për Caritas-in e Don Viktor Sopit”, duke konstatuar se është shkelur Kapitulli IV i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me të drejtën për t’u përgjigjur, por jo edhe Kapitulli II, i cili ka të bëjë me raportimin e së vërtetës.
KMShK ka miratuar pjesërisht ankesën e Afërdita Dreshajt, përfaqësuar nga avokati Virtyt Ibrahimaga, për shkrimin me titull “‘Më tha mami vdis’, ish-kunata e Afërdita Dreshajt me pretendime tronditëse”, duke konstatuar se janë shkelur kapitujt II dhe IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht të drejtën për t’u përgjigjur, por jo edhe kapitujt III dhe VII, të cilët kanë të bëjnë me nxitjen dhe gjuhën e urrejtjes, përkatësisht privatësinë.
KMShK ka miratuar pjesërisht ankesën e Halim Rexhepit kundër Klankosova.tv për shkrimin me titull “Menaxhonte me financat e Mossadit në Turqi, kërkohet 35 vjet burgim për Liridon Rexhepin”, duke konstatuar se është shkelur Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me raportimin e së vërtetës, por jo edhe Kapitulli IV, i cili ka të bëjë me raportimin e së vërtetës.
KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Delfin LTD, përfaqësuar nga avokati Labinot Murati kundër Veriu.info për shkrimet me tituj “Kompanive Delfin dhe Mediteran iu zbuluan 66 tonë mish peshku të infektuar me krimba, AVU-i i Ministrisë së Pecit mbajti të fshehur skandalin (dokument)” dhe “AVU fshehu emrat e Delfini LTD dhe Mediteran-N, kompanive iu gjetën mbi 66 mijë kilogramë mish peshku me krimba”, duke konstatuar se nuk janë shkelur kapitujt II dhe VII të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht privatësinë.
KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Delfin LTD, përfaqësuar nga avokati Labinot Murati kundër Insajderi.org për shkrimin me titull “Kompanisë Delfin i zbulohen 35 mijë kilogramë mish peshku të infektuar, detaje”, duke konstatuar se nuk janë shkelur kapitujt II dhe VII të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht privatësinë.
KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Delfin LTD, përfaqësuar nga avokati Labinot Murati kundër Periskopi.com për shkrimin me titull “Peshku i krimbur nuk shqetësoi bizneset, derti i tyre mbetet tek rrezikimi i imazhit të tyre”, duke konstatuar se nuk janë shkelur kapitujt II dhe IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht të drejtën për t’u përgjigjur.
KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Shpëtim Dobrës kundër Insajderi.org për shkrimin me titull “Krimet e rënda zbarkojnë në Telekom, intervistohet Burbuqe Hana”, duke konstatuar se nuk është shkelur Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me raportimin e së vërtetës.
KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Flutura Berbatit-Zenës kundër Insajderi.org për shkrimet me tituj “Aleanca e shoqeve në ministrinë e Haxhiut – njëra sekreteare, tjetra në komision për ta bërë shoqen drejtoreshë”, “Raportimi i Insajderit – Bllokohet procesi i rekrutimit për drejtoreshë të shoqes së sekretareshës së MD-së”, “Aleanca e shoqeve në MD – E preferuara e kabinetit të Haxhiut rrugës për t’u bërë shefe e departamentit të rëndësishëm” dhe “Dështon sërish konkursi për udhëheqës të Departamentit Ligjor në MD – Podvorica s’e kalon testin me shkrim”. Për dy shkrimet e para KMShK ka konstatuar se janë të paafatshme, kurse ankesa për dy të tjerat nuk është miratuar, duke konstatuar se nuk janë shkelur kapitujt II, IV dhe VII të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht të drejtën për t’u përgjigjur, përkatësisht privatësinë.
KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Mefail Kryeziut kundër Sinjali.org për shkrimin me titull “Ekskluzive: Festa me të shtëna në Kullën e Kadri Zekës, Sinjali sjell emrat e zyrtarëve të SHKK-së të përfshirë në rast”, duke konstatuar se nuk janë shkelur kapitujt IV dhe VII të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me të drejtën për t’u përgjigjur, përkatësisht privatësinë.
KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Lendrit Ilijazit kundër Klankosova.tv për shkrimin me titull “Skandali në MPJD: ZKA gjen punësime pa ligj, kontrata pa kontroll dhe shpenzim të parasë publike pa asnjë llogari (VIDEO)”, duke konstatuar se nuk është shkelur Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me raportimin e së vërtetës
KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Arban Abrashit kundër Insajderi.org për shkrimin me titull “Thellohen akuzat ndaj ish-ministrit Abrashi / ‘Shkova për bukë të gojës, na la pa rroga’ – Rrëfimi ekskluziv i shoferit 68-vjeçar”, duke konstatuar se nuk janë shkelur kapitujt II dhe V të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht prezumimin e pafajësisë.
KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e kompanisë Produkte Bio kundër Kallxo.com për shkrimin me titull “Rrena se një çaj i shëron hemorroidet”, duke konstatuar se nuk është shkelur Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me raportimin e së vërtetës.
KMShK e ka shpallur të paafatshme ankesën e Arban Abrashit kundër Insajderi.org për shkrimin me titull “Ekskluzive – Insajderi zbardh skemën e mashtrimit të punëtorëve në Suedi nga ish-ministri Arban Abrashi”.
KMShK e ka shpallur të patrajtueshme ankesën e Ardit Kolollit kundër faqes në rrjetin social Facebook “N’teren”, duke konstatuar se KMShK nuk ka kompetencë të trajtojë ankesa që lidhen rrjetet sociale. KMShK udhëzo palën ankuese që t’i adresohet rrjetit social përkatës.
Add Comment