Në 20 vjetorin e themelimit Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) ka nderuar me mirënjohje gazetarin Nehat Islami, themelues dhe udhëheqës i KMShK-së për një kohë të gjatë. Islami ishte drejtor i Zyrës së KMShK-së për gati 15 vjet. Ky trup vetërregullues i mediave të shkruara dhe online u themelua nga profesionistë të mediave të asaj kohe, ndër të parët e këtij lloji në rajon.
Doajeni i gazetarisë, Islami, ka punuar kohë të gjatë në “Rilindje” dhe në Redaksinë Televizive të Kosovës gjatë viteve 1970. Po ashtu, ai kreu punën e korrespodentit të përhershëm të “Rilindjes” në Lindjen e Mesme. Ndërkaq pas mbylljes së “Rilindjes” vazhdoi punën në të përditshmen “Bujku”. Pas luftës në Kosovë drejtoi Institutin për Raportimin e Luftës dhe Paqes (IWPR), kurse më pas themeloi KMShK-në. Është autor i qindra shkrimeve dhe dokumentarëve, si dhe i dy librave.
Islami falënderoi KMShK-në për mirënjohjen, duke kujtuar se puna e gazetarëve duhet të bazohet gjithnjë në kodin e etikës.
Add Comment