Ka përfunduar Shkolla e Etikës së Gazetarisë, e cila organizohet nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK). Në ditën e tretë të modulit të dytë të shkollës pjesëmarrësit simuluan mbledhjen e Kuvendit të KMShK-së, gjatë së cilës shqyrtohen ankesat dhe merren vendimr për to.
Më pas, për trendet dhe zhvillimet në ekosistemin medial u bashkëbisedua me Jeton Mehmetin, hulumtues/autor në projektin rajonal “Our Media”. Pjesëmarrësit shprehën mendimet përkitazi me mediat në Kosovë dhe mënyrën e raportimit.
Po ashtu, pjesëmarrësit e shkollës patën rastin që me doajenin e gazetarisë, Nehat Islamin, të diskutojnë për etikën e gazetarisë, përkatësisht për karrierën e gjatë profsionale të tij.
Në fund kryetarja e KMShK-së, Brikenda Rexhepi, iu ndau pjesëmarrësve certifikatat, ndërkaq me rastin e 20 vjetorit të themelimit të KMShK-së me mirënjohje u nderuan Nehat Islami, themelues dhe udhëheqës i KMShK-së për një kohë të gjatë dhe Nora Behluli, zyrtare për ankesa në KMShK që nga themelimi.
Në modulin e parë treditor, i cili është organizuar muajin e kaluar, me studentët dhe gazetarët e rinj kanë bashkëbiseduar, po ashtu, profesionistë të gazetarisë.
Shkolla e Etikës së Gazetarisë organizohet çdo vit në dy module treditore.
Add Comment