12 March 2020

Thirrje mediave për raportim me përgjegjësi

Tani më kur Koronavirus COVID-19 u shpall edhe si pandemi nga OBSh-ja, në ballë të kësaj lufte kudo në botë qëndrojnë mjekët dhe eksepertët e tjerë të kësaj fushe, por një rol shumë të rëndësishëm e kanë edhe mediat.

Sa i përket mediave në Kosovë, asnjëherë më parë nuk ka qenë kaq e nevojshme që ato të respektojnë parimet e  etikës së gazetarisë. Raportimi i së vërtetës duke u mbështetur vetëm në burime kredibile siç është Organizata Botërore e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, dhe burimeve të Qeverisë së Kosovës duhet të jenë bazament për raportim profesional dhe kundër të pavërtetave.

Në Kosovë ndonëse deri më sot nuk është konfirmuar asnjë rast i Koronavirus COVID-19, disa portale të lajmeve po manipulojnë me “burime të besueshme”, e që në të vërtetë nuk janë burime por prodhues të panikut. Fatkeqësisht disa media tjera me verbësi profesionale i përcollën këto lajme të rreme duke llogaritur në senzacionalizëm dhe klikime joreale.

Meqë jemi në fillim të kësaj lufte kërkojmë nga të gjitha mediat e shkruara dhe ato online që të ngrisin profesionalizmin në nivelin më të lartë të mundshëm duke zbatuar të gjitha rregullat e gazetarisë profesionale.

Kërkojmë nga mediat të mbështeten vetëm në burime zyrtare dhe të raportojnë me përgjegjësi të madhe, duke mos u dhënë hapësirë individëve të caktuar që edhe në këtë situatë pandemike nuk e kanë parsysh nevojën e opinionit publik për të kuptuar të vërtetën. 

Vetëm bashkëpunimi i ndërsjelltë i profesionistëve të mjeksisë dhe mediave kredibile mund të paraqesin digën kryesore ndaj kësaj të keqeje që ka kapluar botën.