17 March 2020

Rekomandime për mënyrën e raportimit në lidhje me COVID-19

Anëtarët e Këshillit të Mediave të shkruara bëjnë thirrje tek të gjitha mediat dhe transmetuesit e shtypur dhe online për të respektuar standardet e etikës në raportimin për situatën e krijuar pas shfaqjes së pandemisë covid 19.

  • KMShK bënë thirrje që informacionet për përhapjen e pandemisë të verifikohen nga burimet zyrtare në mënyrë që mos të përhapet paniku tek popullata
  • Në rast të përhapjes së lajmeve të rreme KMShK u bënë thirrje mediave që të publikojnë demante dhe materiale të cilat i denoncojnë si të pavërteta informacionet e rreme. 
  • KMShK bën thirrje që privatësia e pacientëve të ruhet në mënyrë strikte dhe në asnjë rrethanë mos të zbulohet identiteti i të infektuarve.
  • Në rastet kur viktimat dëshirojnë të japin deklarata mediat të sigurohen që mbulojnë identitetin e tyre.
  • Fotografitë dhe video materialet ilustruese për virusin mos të ekspozojnë pamje të  qytetarëve të rëndomta 
  • KMShK u bënë thirrje mediave që të publikojnë sa më shumë informacione me përmbajtje të këshillave për parandalimin e përhapjes së pandemisë
  • KMShK kërkon nga mediat që këshillat të jenë të thirrua në burime kredibile shkencore e jo në staf joprofesional e jo të thirru shkencërisht.

Në tërë këtë situatë KMShK u bën thirrje mediave të respektojnë në përpikëri parimet etike të kodit të KMShK-së.

  • Raportimi i të Vërtetës

Siç obligon edhe Kodi, gazetarët duhet të synojnë të gjejnë të vërtetën faktike dhe rrjedhimisht të ndërmarrin të gjithë hapat e nevojshëm dhe të mundur për të ardhur tek e vërteta.

Thirrja në burime të paqena nuk përmbush kërkesat e Kodit të Mediave. Siç përcaktohet me Kodin e KMShK-së, raportimi duhet bërë duke u bazuar në burime të identifikueshme të informacionit, gjithmonë nëse është nevoja duke ruajtur burimin e informacionit, po gjithsesi duke dhënë informacion rrethanor që e bënë të besueshëm dhe e plotëson informacionin e publikuar. 

Raportimi duke u thirrur në burime, pa ndërmarrë as hapat bazik për të kontaktuar me institucionet përgjegjëse, duhet të ekspozohet dhe të vlerësohet si gabuar.

Po ashtu, përpos nxitjes së panikut dhe frikës, publikimi i lajmeve që përmbajnë udhëzime dhe këshilla se si duhet trajtuar ose parandaluar virtusi COVID – 19, pa mbështetje mjekësore, pa verifikim shkencor, e gjithashtu duke mos dhënë asnjë burim apo referencë të informacionit, rrezikon shëndetin dhe sigurinë publike të qytetarëve. 

 

Gazetarët gjatë raportimit të tyre duhet të synojnë të mos cenojnë dhe ndërhyjnë në privatësinë e personave për të cilët raportojmë. Duke tentuar mbulimin sa më të detajuar të rasteve, gazetarët nuk guxojnë të ekspozojnë informacion të detajuar shëndetësor në lidhje me personat për të cilët raportojmë, me përjashtim të rasteve kur ata vetë ekspozojnë informacionin e detajuar mjekësor dhe rastet për të cilat ka interes publik për t’u informuar duke pasur parasysh edhe profilin publik të personit.

 

Nga informacionet që janë në dispozicion deri më tani në lidhje me virusin COVID – 19, bëhet e ditur se imun ndaj këtij virusi nuk janë as fëmijët dhe se edhe ata mund të preken nga ky virus.

Përtej kujdesit të zakonshëm që gazetarët duhet të tregojnë  kur raportojnë për kategoritë tjera, raportimi në lidhje me fëmijët dhe personat e mitur duhet të jetë tepër i kujdesshëm, duke ruajtur në plotëni identitetin e tyre, por edhe duke treguar kujdes dhe duke mos zbuluar informacionin që mund të bëjë të mundur identifikimin e fëmijëve. 

 

Përtej rrethanave të raportimit për përditshmërinë, mbrojtja e të drejtave të autorit në rastet kur raportojmë mbi dukuri që rrezikojnë shëndetin publik dhe që mund të nxisin frike e panik, ndërmerr përmasa tjera.

Rrjedhimisht, është esenciale që gazetarët dhe mediat të tregojnë burimin e lajmeve që i publikojnë, duke respektuar të drejtën e autorit në një anë, por edhe duke i dhënë lexuesit mundësinë të vlerësojnë besueshmërinë e lajmit të publikuar. 

KMShK, ju rikujtojnë edhe njëherë seriozitetin e situatës me të cilën bota po përballet, rëndësinë e informimit të drejtë dhe të saktë të publikut, dhe detyrën tonë për të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të ardhur deri tek raportimi i plotë dhe i saktë. 

KMShK, ju bëjnë thirrje, institucioneve përgjegjëse, në radhë të parë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtarë të Shëndetësisë Publike, që të shpeshtojnë komunikimin dhe adresimet  e tyre me mediave të interesuara, duke mos lënë hapësirë për përhapjen e informacionit të pavërtetë që nxitë panik dhe frikë.