15 April 2021

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) vendos për 15 ankesa

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), sot mbajti mbledhjen e Kuvendit të tij në të cilën shqyrtoi 15 ankesa.

KMShK ka miratuar ankesën e Jeta Xharrës kundër portalit Kanali10.live lidhur me artikullin e publikuar me titull “Valon Syla: Lobimi i Jeta Xharrës dhe Haki Abazit po favorizon importuesit e energjisë nga Serbia”. KMShK vendos se media nuk i ka dhënë ankueses të drejtën për t’u përgjigjur, ashtu siç është e paraparë edhe në Kreun IV (E drejta për t’u përgjigjur) të Kodit të Mediave.

KMShK miratoi pjesërisht ankesën e Naim Sallahu kundër Insajderi.org lidhur me artikullin me titull “Skandali me tenderin 2 milionësh – biznesmeni nga Kaçaniku dyshohet për falsifikim dokumentesh”. KMShK pas shqyrtimit të ankesës dhe leximit të shkrimit konstaton se media ka bërë shkelje të pjesshme të Kodit, pasi kur ka publikuar shkrimin, nuk i ka dhënë të drejtën për t’u përgjigjur palës për të cilën bëhet fjalë në shkrim. KMShK vendos se media ka shkelur Kreun IV.

KMShK nuk miratoi ankesën e Lëvizja Vetëvendosje kundër Gazeta Express, BotaPress.info, Gazeta Blic dhe Syri Net lidhur me artikullin me titull “Kandidati i VV’së për deputet e quan Albin Kurtin “Hashim”. Ankesa është e patrajtueshme kundër BotaPress për shkak se në linkun e dërguar nuk gjendet shkrimi për të cilin pretendohet në ankesë. Në lidhje me ankesën drejtuar kundër mediave të tjera, KMShK pas analizimit të rastit dhe leximit të shkrimeve e ankesës gjen se ankesa është e pabazuar, kjo pasi që i njëjti nuk ka paraqitur asnjë provë për pikën në të cilën është duke e kontestuar. Pra është detyrë e ankuesit që ta bëjë të besueshme ankesën e tij për KMShK-në. Nuk është e mjaftueshme vetëm deklarimi se ajo çka media ka pretenduar nuk është e vërtetë por edhe duhet të vërtetohet e kundërta.

KMShK nuk miratoi ankesën e Kallxo.com kundër Gazeta Express dhe Gazeta Metro. Ankuesi pretendon që mediat kanë publikuar një citat nga një shkrimin të cilin e ka shkruar Kallxo.com dhe se shkrimi është pronësi e tyre. KMShK konsideron se citati është përdorim i arsyeshëm i publikimit dhe se për citatin e tillë nuk është e nevojshme të kërkohet leja.

KMShK miratoi ankesën e Kallxo.com kundër Gazeta Express lidhur me publikimin e një shkrimin të cilin e ka shkruar Kallxo.com dhe se i njëjti është pronësi e tyre. Ankuesi ka të drejtën e plotë që të mbrojë shkrimet e tij dhe rrjedhimisht Ligji por edhe Kodi i mediave të shkruara në Kreun XI (Të drejtat e autorit) kanë paraparë që media duhet të marr leje për të ripublikuar një shkrim autorial të një media tjetër.

KMShK miratoi ankesën e Vjosa Osmanit ud. Presidente dhe Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës kundër portaleve Gazeta NewBorn dhe Ballkani lidhur me publikimin e artikullit me titull “Kjo është shtëpia luksoze e Vjosa Osmanit në Marigona Hill (Foto)”. Mediat kanë publikuar një shkrim që nuk ka ndonjë bazë faktike por që është në kundërshtim me vet Kodin e Mediave përkatësisht kundër Kreut II (Raportimi i së vërtetës) të Kodit të Mediave. Media çdo herë duhet të raportojë të vërtetën dhe e ka për obligim që shkrimin e saj ta bazoj në fakte dhe të dhëna të sakta.

KMShK, shqyrtoi edhe 8 ankesa të qytetarëve të tjerë kundër disa mediave online, prej të cilave 7 u miratuan dhe 1 ankesë u refuzua.