10 April 2006

Zyra për Informim e Ministrisë së Shërbimeve Publike

Vendim i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës

Zyrës për Informim të Ministrisë së Shërbimeve Publike

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës u kushtoi vëmendje të posaçme në mbledhjen e tij të mbajtur më 27.03.2006 dy ankesave të MSHP-së kundër gazetës “Koha Ditore lidhur me artikujt e botuar ne këtë gazetë:”Jashtë MSHP-se edhe tre nëpunës civilë” (botuar më 11 shkurt 2006) dhe “Tërmkolli shkarkon për motive politike” (botuar me 21 shkurt 2006).

Në artikullin e parë është raportuar për një vendim të marrë nga Ministria për suspendimin e tre zyrtarëve civilë të punësuar aty. Në atë artikull, hapësira kryesore i është dhënë arsyetimit të vendimit zyrtar nga ana e MSHP.

Në artikullin e dytë: “Tërmkolli shkarkon për motive politike”, shkrimi është raportim nga konferenca për shtyp që e kanë organizuar tre nëpunësit e suspenduar, të cilën e kanë percjellë gati të gjitha gazetat.

U konstatua se në asnjërin artikull gazeta nuk ka marrë qëndrim në lidhje me ngjarjet, por vetëm ka raportuar deklaratat e të gjitha palëve. KMSHK i ka shqyrtuar të dy artikujt si tërësi të problemit.

Titujt e përgjigjeve të MSHP: “Kujt i shërbejnë shpifjet e Kohës ditore” dhe “A është Koha ditore në mbrojtje të krimit”? nuk janë adekuatë, pasi gazeta vetëm ka raportuar, pa qëndrim të saj. MSHP nuk i është përgjigjur thënieve të tre të suspenduarve, por ka polemizuar me gazetën “Koha ditore” të cilën e kualifikon si “shpifëse” dhe “mbrojtëse të krimit” dhe si “Koha ditore prapë devijon”.

KMSHK mendon se “Koha ditore” do të ishte e detyruar të botonte përgjigjen e MSHP sikur ajo të ishte përgjigjur ndaj deklaratave të individëve të përmendur në gazetë, e jo kualifikimeve fyese kundër gazetës.

Ky vendim u miratua njëzëri nga te gjithë anëtarët e KMSHK-se dhe me te do të njoftohet Ministria e Shërbimeve Publike të Kosovës.