17 September 2015

VETЁRREGULLIMI I MEDIAVE ONLINE

Zhvillimi i hovshëm teknologjik ka bërë që të lëkunden shumë themele në fusha të ndryshme të jetës shoqërore. Gazetaria nuk ishte përjashtim. Shumë gazeta të njohura botërore i ndërprenë botimet e tyre të shtypit duke u fokusuar shumë e më shumë në versionet e tyre online. Sikurse në vendet tjera të botës, edhe Kosova e ka pasur fatin e njëjtë. Shembull për këtë është Gazeta Express, Tribuna e kështu me radhë duke kaluar nga platforma e shtypur në atë elektronike.

Kodi i Mediave të Shkruara të Kosovës parasheh dispozita të cilat janë të aplikueshme përgjithësisht për të gjitha llojet e mediumeve duke paraparë situata më të mundshme të shkeljeve potenciale. Megjithatë, specifikat e mediave online kanë shtruar kërkesë për një ndryshim apo shtim të mundshëm të elementeve në këtë Kod i cili parasheh të jetë gjithëpërfshirës për të gjithë nënshkruesit e tij si dhe për mediumet e tjera të shkruara në Kosovë.

Qëllimi i kësaj tryeze ishte që t’i adresojë specifikat e rregullimit të mediave online dhe të diskutojë dispozitat e Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës karshi këtyre specifikave.

Kjo tryezë mblodhi në Prishtinë drejtuesit, gazetarë të disa portaleve më të mëdha, studentë te gazetarisë dhe OJQ, si dhe përfaqësues ndërkombëtar.

Imer Mushkolaj kryetar i KMShK-së në këtë tryeze te mbështetur nga UNESCO, theksoi se parimet etike te gazetarisë mbesin bazë e e punës së gazetareve profesionistë. Ato parime vlejnë si për gazetarinë e shkruar ashtu edhe për atë online.

Mirëpo jeta dhe rrethanat se nga po ecën mediat tani kërkojmë plotësimin e statutit dhe kodit te medieve te shkruara te KMShK-së në mënyrë që të thellojmë vetërregullimin e online mediave, numri i të cilave në Kosovë po shtohet.

Besnik Batusha kryeredaktor i portalit Indexonline”, paraqiti disa propozime drejt plotësimit të rregullave të KMShK-së për gazetarinë online.

Besa Luci, kryeredaktore e portalit “Kosovo 2.0.” tha se ligjet janë të rëndësishme për të rregulluar dispozitat themelore në garantimin e lirisë së shpehjes, lirisë së informacionit, medias, si dhe për mbrojtje kundër shpifjes etj. Por ata që njëmend janë të përcaktuar të praktikojnë gazetari duhet ta kenë primare përgjegjësinë etike të tyre në këtë profesion, që sherben si udhërrefyes kyç për standarde dhe principe profesionale.

Leonrad Kerquki kryeredaktor i gazetës “Ekspres” tha se këtë portal e klikojnë mbi 700 mijë veta në ditë. Ai gjithashtu tha se në Kosovë ekziston numër i madh i portaleve mirëpo nga klikimet veçohen nja dhjetë sish. Ai diskutoi edhe për problemet etike dhe tha se në etikë ekzistojne parimet themelore, por se vlerësimet bëhen shpesh edhe në bazë të rrethanave specifike.

Furtuna Sheremeti, udheheqese e zyres ligjore të BIRN – paraqiti pikëpamjet e saj lidhur me respektimin e etikës, profesionalizmit dhe ligjit si bazë e gazetarisë së mirëfilltë. Ajo tha se ka ardhur koha që Këshilli të nisë përcaktimin edhe de jure të asaj që ka bëre deri më tani de facto – do të thotë të ndryshojë statutin e vet dhe kodin e etikes.