5 December 2008

Vendim lidhur me ankesën e Zeqir Shamollit ndaj artikujve, “Prokuroria mbron krimin” botuar më 22 gusht 2008 dhe “Padit Hilmi Zhitinë” botuar më 30 tetor 2008, në gazetën “Express”

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës në Prishtinë, në seancën e tij të mbajtur më 02 dhjetor 2008 pasi shqyrtoi ankesën e Zeqir Shamollit, biznesmen, të ushtruar kundër gazetës “Express” për shkak se ajo ka botuar artikullin: “Prokuroria mbron krimin” datë 22 gusht 2008 si dhe artikullin: “Padit Hilmi Zhitinë” datë 30 tetor 2008 mori këtë:

V E N D I M

– refuzohet ankesa

A R S Y E T I M I

Ankuesi Zeqir Shamolli, biznesmen, parashtron një ankesë kundër gazetës “Express” lidhur me artikullin: “Prokuroria mbron krimin”: datë 22 gusht 2008, në të cilin, si konsiderohet, është njollosur emri i ankuesit dhe i firmës se tij “Eurokos” në Prishtinë sepse aty është thënë se “Prokuroria e Kosovës ka bërë presion kundër Prokurorit Ramadan Sulejmanit në Ferizaj që të mos e bëjë ndjekjen penale kundër tij(ankuesit)” për shkak se gjoja të një vepre penale lidhur me trafikimin e një malli.

Gjithashtu, në ankesë përfshihet edhe një herë gazeta “Express” për shkak të artikullit: “Padit Hilmi Zhitinë“ datë 30 gusht 2008, “ku disa herë lakohet emri i ankuesit me të pavërteta”, me të cilat ankuesi ka “pësuar dëme morale dhe materiale”. Gjithashtu theksohet se gazeta “Express” ka botuar në tërësi reagimin e ankuesit pa asnjë intervenim të redaksisë, më 31 tetor 2008 dhe 1 nëntor 2008, mirëpo kjo nuk e kënaqë ankuesin. Me titull: “Poshtërsia ku të ndalet është nder!(1 dhe 2), sipas pikëpamjeve të ankuesit, janë dhënë sqarime të plota ndaj shkrimeve të përmendura ku akuzohen tre prokurorë të Ferizajt për “mbrojtjen e krimit dhe ku theksohet emri i ankuesit, por megjithatë, ankuesit, Zeqir Shamolli “kjo nuk mjafton”.

KMSHK konsideron se gazeta “Express” me botimin e reagimit të plotë të ankuesit ka zbatuar detyrimin e vet qe del nga Kodi i Mediave të Shkruara, Kreu i IV pika 1. Në përgjigjen e tij të plotë, të botuar në gazetë jepen shpjegime të hollësishme për tërë procedurën e gjertanishme gjyqësore kundër Zeqir Shamollit, me çka opinioni është informuar në tërësi për të gjitha miratimet dhe kundërshtimet që i janë bërë aktvendimeve që kishin të bënin me rastin e tij.

Ndonëse ankuesi konsideron se në reagimin e tij, lidhur me artikujt e përmendur “nuk janë sqaruar të gjitha çështjet e trajtuara”, KMSHK konsideron se gazeta “Express” i ka ofruar mundësi të gjitha palëve që të paraqesin pikëpamjet e tyre, pra edhe të Zeqir Shamollit, që ta paraqes pafajin e tij.

Lypset të theksohet se ankuesi, ankesës ia ka bashkangjitur vendimet gjyqësore lidhur me ndjekjen e tij penale për trafikim të mallrave, të cilat vendime gjenden në procedurë e sipër, por KMSHK nuk është kompetent që ato ti shqyrtojë dhe të merr ndonjë vendim, sepse ato janë çështje gjyqësore.

Ndërkaq, KMSHK konsideron se gazeta “Express” sipas Kodit është e obliguar që vendimin gjyqësor me të cilin merr fund procedura gjyqësore, pra vendimin e plotfuqishëm, me çështjet që janë trajtuar në artikujt e botuar, ta botojë në tërësi.
Me sa u tha,u deshtë të merret vendimi si në dispozitiv.