20 December 2012

Vendim KMSHK

Vendim i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës ndaj ankesës së dy zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme,Ramadan Thaqi dhe Arben Mustafa, kundër gazetës “Zëri”.
Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, në mbledhjen e tij të mbajtur më 19 dhjetor 2012, pasi shqyrtoi ankesën e dy zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës kundër gazetës Zëri e lidhur me artikullin me titull “MPB falsifikon edhe datëlindjet” të botuar më 16 maj 2012, mori këtë:
VENDIM
– Ankesa nuk miratohet
ARSYETIM
Zyrtarët e MPB-së, Ramadan Thaçi dhe Arben Mustafa, kanë paraqitur ankesë kundër gazetës Zëri lidhur me artikullin me titull:“MPB falsifikon edhe datëlindjet” të botuar më 16 maj 2012. Ankuesit pretendojnë se artikulli në fjalë merret me shpifje, pasaktësi dhe është tendencioz dhe në këtë mënyrë njollos personalitetin e qytetarit, të zyrtarëve publikë dhe të dhënave personale të tyre.
KMSHK dëgjoi përfaqësuesin e gazetës Zëri i cili sqaroi se e tërë mosmarrëveshja mes këtyre dy zyrtarëve dhe gazetës qëndron në faktin se Zëri nuk ka marrë shpjegime të kërkuara nga sekretari i përgjithshëm i MPB-së mbi bazën ligjore për ndryshimet e të dhënave mbi gjendjen statusore dhe civile nga ana e Komisionit të kësaj Ministrie.
Pas botimit të artikullit, redaksia e Zërit botoi kumtesën për shtyp të MPB-së lidhur me artikullin në fjalë me ç’rast u sqarua baza ligjore e themelimit dhe funksionimit të Komisionit të MPB-së e cila bazohet në Udhëzuesin Administrativ për Komisionin e Shqyrtimit të Ankesave.
KMSHK konstatoi se gazeta Zëri me kohë ka botuar reagimin e MPB-së me çka ka përmbushur detyrimin e saj nga Kreu 4 i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës(E drejta për t’u përgjigjur).
Bazuar në deklarimet e përfaqësuesit të gazetës Zëri si dhe në përmbajtjen reagimin të MPB-së, KMSHK gjeti se gazeta Zëri me artikullin në fjalë nuk ka shkelur asnjërën nga parimet e Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës për çka edhe vendosi si në dispozitiv të këtij vendimi.