24 December 2013

Vendim i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës ndaj ankesës së z. Sami Hamiti kundër gazetës “Kosova Sot”

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, në mbledhjen e tij të mbajtur më 17 dhjetor 2013, pasi shqyrtoi ankesën z. Sami Hamiti nga Prishtina kundër gazetës “Kosova Sot” lidhur me botimin e 10 shkrimeve gjatë muajve tetor dhe nëntor të vitit 2013, mori këtë:
V E N D I M
– Ankesa miratohet pjesërisht
A R S Y E T I M I
Z. Sami Hamiti nga Prishtina i ka paraqitur një ankesë KMSHK-së kundër gazetës “Kosova Sot” lidhur me botimin e 10 shkrimeve gjatë tetorit dhe nëntorit të vitit 2013.
Bordi i KMSHK-së, pasi analizoi me kujdes ankesën dhe të gjitha shkrimet lidhur me të, gjeti se ankesa miratohet pjesërisht.
Në vijim, KMSHK jep arsyetime për secilin artikull veç e veç.
Artikulli: “Hamiti brenda vitit shtoi pasurinë për 163.000 euro” botuar më 2 tetor 2013.
Ankuesi pretendon se të dhënat në këtë artikull nuk janë të vërteta sepse ai nuk ka pasur një shtim të pasurisë së tij për shumën e cila përmendet në artikull.
KMSHK konstatoi se artikulli i botuar mbështetet mbi shënimet e Agjensisë Antikorrupsion të Kosovës. Pra, gazeta si burim të informacionit i ka shfrytëzuar të dhënat e këtij Agjensioni për çka në këtë pjesë ankesa nuk u miratua.
Artikulli: “Skandali në Pejton, biznes me pronë publike” botuar më 24 tetor 2013.
KMSHK konstatoi se parcela për të cilën bëhet fjalë, mbi të cilën është ndërtuar katedralja, disa herë ka pësuar ndryshime në librat kadastrale. Vendimet për këtë ishin marrë nga Asambleja Komunale e Prishtinës. Ankuesi, z. Sami Hamiti, vetëm kishte formalizuar këto vendime duke i nënshkruar si Kryesues i Asamblesë Komunale të Prishtinës. Në këtë pikë KMSHK vendosi që ankesa të miratohet.
Artikulli: “Ndërmarrja Publike Banesore e përfshirë në skandalin e pronave” botuar më 25 tetor 2013.
Edhe ky truall i është ndarë Ndërmarrjes Publike Banesore me vendim të Komunës së Prishtinës që nga viti 1974 dhe gazeta nuk ka arritur të argumentojë fajin konkret të z. Sami Hamiti.
Në këtë pikë KMSHK vendosi që ankesa të miratohet
Artiukulli: “Kërkuan 500.000 Euro, pritet aktakuzë kundër Sami Hamitit & CO” botuar më 29 tetor 2013.
KMSHK vlerëson se burimi i kërij shkrimi është nga procedura penale kundër z. Sami Hamiti dhe të tjerëve. Çështja penale është e hapur, pra hetimet janë në vazhdim e sipër, dhe në rastin konkret ka vetëm ndërprerje të masës së paraburgimit kundër z. Hamiti. Andaj, në këtë pikë, ankesa nuk miratohet.

Artikujt: “Klani Hamiti mban peng LDK-në” botuar më 30 tetor 2013, “Klani Hamiti ndëshkohet me vota” botuar më 5 nëntor 2013, “Pas Hamitit, ndëshkim me vota edhe për Mustafën” botuar më 8 nëntor 2013.
Për këta artikuj, KMSHK gjeti se ankesa nuk miratohet pasi që bëhet fjalë për fushatën zgjedhore ku lejohet botimi i opinioneve të ndryshme të zgjedhësve. Këto shkrime bazohen dhe në rezultatet fillestare që janë publikuar deri në momentin e komunikimit përfundimtar të rezultateve nga ana e KQZ-së.
Artikulli: “Sami Hamiti dyshohet se shiti 1.5 hektar të tregut të madh të kryeqytetit”
KMSHK konstatoi se bëhet fjalë për pjesë të parcelës të cilat i janë kthyer në qeverisje Agjensionit Kosovar të Pronave; në anën tjetër kundër ankuesit nuk ekziston ndonjë procedurë me të cilën dyshohet se ka përvetësuar apo keqpërdorur sipërfaqen prej 1.5 ha të tregut të madh në kryeqytet. KMSHK gjen se në këtë pikë ankesa është e bazuar dhe nuk miratohet.
Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës konstatoi se gazeta “Kosova Sot” gjatë përgatitjes për botim të këtyre artikujve nuk ka mundur të vëjë kontakt me z. Sami Hamiti dhe bashkëpunëtorët e tij edhe pse ka bërë përpjekje në disa mënyra, ndërsa z. Sami Hamiti thotë se thirrje të tilla nuk ka pasur dhe se ai vetëm njëherë i ka dërguar gazetës një reagim përmes shërbimit të informatave të Komunës, i cili nuk është botuar. Këshilli i Mediave të Shkruaura të Kosovës konstatoi se po të kishte bashkëpunim midis ankuesit dhe gazetës, shkrimet do të ishin më të sakta, më përmbajtësore dhe më gjithëpërfshirëse.
Bazuar në atë që u tha më lartë, u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi.