5 December 2008

Vendim i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës ndaj ankesës së Z.Ramadan Cakollit, kundër gazetës “Kosova Sot”

Këshillit i Mediave të Shkruara të Kosovës në mbledhjen e vet të mbajtur më 02 dhjetor 2008, pasi shqyrtoi ankesën e z. Ramadan Cakolli, pensionist, e ushtruar kundër gazetës “Kosova Sot” lidhur me artikullin e botuar më 21 nëntor me titull:“Dimri në prag, si të sigurohen drutë” dhe me këtë rast mori këtë:

V E N D I M

– Gazeta “Kosova Sot” ta botojë reagimin e ankuesit

A R S Y E T I M

KMSHK shqyrtoi ankesën e z.Ramadan Cakolli, pensionist nga Prishtina kundër gazetës “Kosova Sot” lidhur me artikullin: “Dimri në prag, si të sigurohen drutë” dhe konstatoi se gazetarja e “Kosova Sot” vërtetë ka biseduar me ankuesin në Shtëpinë e pensionistëve në Prishtinë lidhur me problemet reale të pensionisteve në Kosovë, pra edhe të z. Ramadan Cakolli.

Gazetarja e gazetës “Kosova Sot” pranon në sqarimin e saj të botuar më 28 nëntor se nuk “ka arritur të bisedojë edhe me anëtarët e tjerë të familjes “ndërsa në artikullin kontestues shkruan se kishte qenë në shtëpinë e pensionistit, gjë që nuk del e vërtetë dhe se ka biseduar edhe me bashkëshorten e tij.

Qëllimi i gazetës nuk ka qenë keqdashës, porse ankuesi thotë se gazeta ia ka përshkruar atij edhe disa thënie që ai nuk i ka deklaruar si p.sh.“nuk posedon kurrfarë të ardhurash tjera”, “asgjë nuk kemi” dhe “mbahemi nga ky pension që nuk mjafton as për bukë, e për të tjerat mos flasim”.

Redaksia nuk ka pas për qëllim që ta njollos personalitetin e pensionistit në fjalë, porse gazeta ka bërë shkarje lidhur me disa fakte, të cilat ajo nuk i mohon në botimin e sqarimit, më 28 nëntor 2008.

Andaj, KMSHK vendosi të marrë vendimin si në dispozitiv.
Gazeta “Kosova Sot” ka respektuar pjesërisht Kreun 4. Pika 1. duke botuar sqarimin, por në këtë rast nuk e ka botuar reagimin e ankuesit në tërësi.