10 November 2008

Vendim i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës ndaj ankesës së Z. Paul Acda kundër gazetës “Express”

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, shqyrtoi në mbledhjen e tij, më 30 tetor 2008 ankesën e Z.Paul Acda, Zëvendës Përfaqësues Special i Sekretarit Gjeneral të OKB-së, kundër gazetës “Express” për shkak të botimit të dy artikujve me titull: “I papërmirësueshëm”, datë 12 gusht 2008 dhe “Monstrumët” botuar më 08 shtator 2008 dhe mori këtë:

V E N D I M

– miratohet ankesa

A R S Y E T I M

Në artikullin “ I papërmirësueshëm” botuar më datë 12 gusht 2008, ku sipas ankesës së Paul Acda,ai akuzohet se ka “ndaluar punëtorët e AKM-së, tani Agjencia Kosovare e Privatizimit qe tre ditë rresht të mos hynë në objekt dhe të mos kenë mundësi të punojnë”. Këshilli mori në dijeni faktin se Agjencia Kosovare e Mirëbesimit përfundoi punën dhe kompetencat saj më 30 qershor 2008, në pajtim me vendimin e Komisionit Evropian dhe se kompetencat është dashur të kalonin në AKP sa më parë.

KMSHK konstatoi se gazeta “Express” është dashur të bëjë përpjekje që në mbështetje të Kreut II, Pikë 1 e Kodit të Mediave të Shkruara dhe Kreut IV, Pikë 3,që kërkohet, “respekt për të vërtetën faktike” dhe “të dëgjohen të gjitha palët në kontest”, të kërkonte edhe mendimin e palës së akuzuar, pse që nga 08 gushti 2008 dyert e AKM-së mbeten të mbyllura për punëtorët e AKP-së. Do të duhej të kërkohej ndonjë prononcim së paku nga UNMIK-u.

Lidhur me artikullin tjetër të botuar në gazetën “Express” me titull: “Monstrumët” datë 08 shtator 2008, në të cilin sipas ankesës së Paul Acda-s, thuhet se “janë të pavërteta pjesët e artikullit ku shkruhet se “Paul Acda dha udhëzimin e shkatërrimit të dokumentacionit që ka të bëjë me procesin e privatizimit, përfshirë edhe dokumentacionin e arkivuar” si dhe “shkeljen e qëllimshme e të drejtave të punëtorëve të kompanive shoqërorë të privatizuar, duke shkatërruar listat e tyre të punëtorëve” KMSHK, konstatoi se:

Gazeta “Express” ka reaguar shpejtë pas lajmeve se në oborrin e AKM-së janë gjetur disa letra dhe dokumente, disa edhe me logon e “AKM”-së por në mungesë të informatave edhe nga “pala tjetër” doli i pavërtetë konstatimi i gazetës se “gjashtë vjet privatizim ishin shkrumbuar” dhe se “ u dogj gjithçka e rëndësishme”. Në këtë mënyrë, KMSHK konstatoi se është shkelur Kreu II,Pikë 1 i Kodit të Mediave të Shkruara i cili thotë se “gjatë punës së tyre gazetarët dhe redaktorët do të sigurojnë respekt për të vërtetën faktike dhe për të drejtën e publikut që ta dijë të vërtetën”. Këshilli gjithashtu konstatoi se në këtë artikull nuk janë shfrytëzuar në mënyrë adekuate të gjitha burimet e domosdoshme, për të konstatuar vërtetësinë se a janë shkatërruar vërtetë listat e punëtorëve të ndërmarrjeve të privatizuara.

KMSHK konstatoi gjithashtu se sikur shërbimi për informim të Shtyllës së katërt, të kishte informuar me kohë se arkivi i Shtyllës së IV ishte bartur jashtë AKM-së dhe se ishin djegur vetëm mbeturina, si u tha më 16 shtator nga ana e UNMIK-t, nuk do të lindnin këto probleme.
Gjithashtu nuk është kontestues fakti se dyert e objektit të AKM-së kanë qenë të mbyllura deri më 24 gusht 2008, deri sa stafi i AKP-së nuk i hapi me forcë.

KMSHK gjithashtu konstatoi se në këto dy raste është shkelur edhe Kreu II, Pike 2, i cili thotë se “gazetarët dhe redaktorët,në parim duhet të mbështeten në burime të identifikueshme të informacioneve”. E në rastin konkret shtohet edhe Paul Acda ose ndonjë person tjetër i autorizuar. Në rastin konkret çështja kryesore, pra “djegia e arkivit” e AKM-së për çka shkruan gazeta mbeti enigmatike dhe e pasqaruar, gati 10 ditë.
Andaj, KMSHK vendosi të miratojë ankesën e Z. Paul Acda në pikat e përmendura më lartë.

Gazeta “Express” duhet ta botojë këtë vendim në faqen dy ose tre të gazetës. Gjithashtu gazeta duhet të kërkojë falje nga z. Paul Acda, sepse këto akuza e dëmtojnë personalitetit e tij.