24 December 2013

Vendim i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës ndaj ankesës së Z. Hysri Selimi, kundër gazetës “Zëri”

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, në mbledhjen e tij të mbajtur më 17 dhjetor 2013, pasi shqyrtoi ankesën e z. Hysri Selimi nga Bresalci kundër gazetës ”Zëri” lidhur me artikullin me titull: “Djalin ma manipuluan, nuk është terrorist” të publikuar më 13 nëntor 2013, mori këtë:

V E N D I M

– Ankesa nuk miratohet

A R S Y E T I M I

Z. Hysri Selimi nga Bresalci i është ankuar KMSHK-së kundër gazetës ”Zëri” lidhur me artikullin me titull: “Djalin ma manipuluan, nuk është terrorist” të publikuar më 13 nëntor 2013.
Ankuesi ka zhvilluar një intervistë të gjatë me gazetën “Zëri”. Ai pretendon se kjo gazetë me publikimin e intervistës në fjalë ka përdorur disa formulime duke bërë disa ndryshime dhe ndërhyrje të cilat kanë tendencë që ta ndryshojnë intervistën e tij dhënë kësaj gazete. Poashtu, ai pretendon se Këshilli duhet të eliminojë devijimet e kësaj interviste në gazetën “Zëri” dhe të publikohet intervista e plotë që e ka dhënë me datë 12 nëntor 2013.
Pasi analizoi me kujdes ankesën dhe dëgjoi përfaqësuesin e gazetës “Zëri”, KMSHK gjeti se kjo gazetë me rastin e intervistimit ka bërë edhe incizimin e tërë bisedës dhe se ka botuar tekstin e ngjeshur të intervistës pa ndërhyrë në deklarimin e të intervistuarit. KMSHK poashtu konstatoi se djali i ankuesit, për shkak të të cilit edhe ishte bërë intervista, është i përfshirë në hetime për shkak të dyshimit se po përgatiste vepër penale të terrorizmit. Çështja është nën hetime dhe epilogu i saj i takon vendimit të organeve të drejtësisë. Gazeta “Zëri” para KMSHK-së deklaroi se është e gatshme të botojë çdo reagim të ankuesit lidhur me këtë çështje.
Bazuar në atë që u tha më lartë, u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi.