20 April 2013

Vendim i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës ndaj ankesës së Visar Vehapit,avokat nga Prishtina, kundër gazetës “Kosova Sot”

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, në mbledhjen e tij të mbajtur më 28 maj 2013, pasi shqyrtoi ankesën e Visar Vehapit, avokat nga Prishtina, kundër gazetës “Kosova Sot” lidhur me artikullin të botuar më 04 prill 2013, me titull: “Saliuka, Mikariq dhe Vehapi përfshihen në skandalin e pronave”, mori këtë:

VENDIM

– Ankesa miratohet

ARSYETIMI

Visar Vehapi, avokat në Prishtinë, i ka dorëzuar KMSHK-së një ankesë më 15 prill 2013, kundër gazetës “Kosova Sot” lidhur me artikullin e botuar më 4 prill 2013, me titull: “Saliuka, Mikariq dhe Vehapi përfshihen në skandalin e pronave”.

Ankuesi pretendon se gazeta “Kosova Sot” me rastin e këtij artikulli, e përmend disa herë emrin e tij. Ankuesi, në mbështetje të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës(e drejta për t’u përgjigjur) kishte kërkuar nga redaksia që të ia botojnë reagimin në pjesën kur përmendet emri i tij.

Ndonëse, ankuesi i ishte drejtuar gazetës “Kosova Sot” që të nesërmen për ta botuar reagimin e tij, ai reagim nuk është botuar derisa ankuesi ishte detyruar që për botimin e reagimit të tij ti paguaj gazetës “Kosova Sot” shumën prej 200 Euro, për botimin e reagimit të tij në rubrikën “Opinione-marketing”. Ankesës i është bashkangjitur si provë edhe kopja e faturës së pagesës prej 200 EURO, në konto të gazetës “Kosova Sot”.

Përfaqësuesja e gazetës “Kosova Sot” gjatë diskutimit nuk e mohoi fakton se për ta botuar atë përgjigje, ankuesit i janë kërkuar 200 euro, të cilat ai i kishte paguar. Pagesën e shumës prej 200 Euro, përfaqësuesja e gazetës “Kosova Sot” e arsyeton si pagesë për marketing.

Bordi i KMSHK-së konstaton se sipas Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, gazeta ka qenë e detyruar ta botojë përgjigjen pa pagesë dhe se detyrimi që ankuesi të paguaj 200 euro për botimin e përgjegjës së tij ka qenë i padrejtë dhe ne kundërshtim me Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës, me që është obligim i mediave të botojnë reagime ose demante kur mediat publikojnë informata për ndonjë individ, organizatë apo institucion.

KMSHK gjen se gazeta “Kosova Sot” e ka shkelur Kreun IV të Kodit të Mediave të Shkruara (E drejta për t’u përgjigjur).

Bazuar në atë që u tha më lartë, KMSHK vendosi si në dispozitiv të këtij vendimi.