6 May 2015

Vendim i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës ndaj ankesës së Nismës së të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut kundër portalit Koha

29 prill 2015

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut është ankuar më 24 mars 2015 kundër portalit Koha në lidhje me publikimin e disa komenteve të cilat përmbajnë gjuhë denigruese dhe diskriminuese. Këto komente, të cilat përmbanin gjuhë të urrejtjes ishin publikuar nën lajmin me titull: “Lista serbe do të votojë specialen, por jo FAK-un”. Në komente, komentuesit u drejtohen serbëve me “shkije”, gjë që konsiderohet fyerje pasi ata edhe në gjuhën shqipe quhen serbë. Këto komente nxisin urrejtje dhe ndasi.

Portali Koha në përgjigjen e tij dërguar KMShK-së e konsideron të arsyeshme këtë ankesë dhe informon se menjëherë i ka larguar komentet të cilat përmbanin gjuhë të urrejtjes. Portali arsyetohet se nga numri i madh i e-mailëve që pranojnë gjatë ditës nuk kanë arritur të shohin ankesën nga organizata YIHR, si dhe komentet janë publikuar në pamundësi të filitrimit të tyre. Sidoqoftë, tashmë komentet janë larguar nga portali. Portali kërkon ndjesë për këtë lëshim.

KMShK, lidhur me këtë ankesë, kërkon nga portalet të mbajnë përgjegjësi për komentet që i publikojnë dhe të bëjnë filtrimin e komenteve të cilat përmbajnë gjuhë të urrejtjes.

KMShK gjeti se portali Koha me publikimet e përmendura nuk ka respektuar Kreun III të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës (Nxitja dhe gjuha e urrejtjes) për çka u vendos që ankesa të miratohet si e bazuar.

KMShK, edhe këtë herë, fton të gjitha mediat në Kosovë të kenë kujdes dhe të përmbahen nga botimet e teksteve që nxisin gjuhë të urrejtjes.

Bazuar në atë që u tha më lartë, KMShK vendosi si në dispozitiv të këtij vendimi.

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës