14 October 2009

Vendim i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës ndaj ankesës së Menduh Abazit, u.d. i Drejtorit të Departamentit për Komunikim i PTK-së kundër gazetës “Koha Ditore”

Vendim i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës ndaj ankesës së Menduh Abazit, u.d. i Drejtorit të Departamentit për Komunikim i PTK-së kundër gazetës “Koha Ditore”

Bordi i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, në mbledhjen e tij të rregullt, mbajtur më 29 shtator 2009, duke vendosur ndaj tri ankesave së PTK-së, datë 22.06.2009, datë 01.07.2009, dhe datë 7.08.2009, të paraqitura kundër gazetës “Koha Ditore” mori këtë

V E N D I M

– Nuk miratohen ankesat e PTK-së, datë 22.06.2009, datë 01.07.2009 dhe datë 7.8.2009 kundër gazetës “Koha Ditore”

A R S Y E T I M

I. PTK, në ankesën e datës 22.06.09 pretendon se gazeta “Koha Ditore” ka shpifur ndaj kryeshefit ekzekutiv të PTK-së, se ka marrë vendim që “t’i jep 400 mijë euro ish punëdhënësit të tij Universitetit Kent në Londër në emër të trajnimeve të 40 punëtoreve të PTK-së”.

PTK, në përgjigjen e saj publike, deklaroi se nuk bëhet fjalë për një shumë të përmendur por për 274.291 euro.
Me kërkesë të Zyrës së KMSHK-së,Bordit ju sigurua kopja e dokumentit me titull: “Vlerësimi i nevojave” nr. 11.03.202 i përpiluar nga PTK dhe nënshkruar nga Shkëlzen Cakaj dhe Shyqri Haxha, nga përmbajtja e të cilit rezulton se është e paraparë shuma prej 400.000 euro për ngritjen e nivelit të njohurive nga lëmi i telekomunikacionit.
Bordi i KMSHK-së, pasi shqyrtoi ankesën e PTK-së, dëgjoi përfaqësuesin e gazetës “Koha Ditore” dhe administroi si provë dokumentin: “Vlerësimi i nevojave mbi miratimin e 400 mije euro për trajnim të 40 të punësuarve për ngritje të nivelit të njohurive nga lëmi i komunikacionit, konstatoi se ankesa e PTK-së nuk miratohet, nga se gazeta “Koha Ditore” në shkrimin e përmendur nuk ka shkelur asnjërën prej rregullave të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës.

II. Sa i përket artikullit të datë 25 mars 2009 me titull: “PTK-ja shënon rënie të të hyrave prej 26 përçin prej janarit në janar” ankesa pretendon se nuk bëhet fjalë për rënie të të hyrave të PTK-së”.

Bordi i KMSHK-së pasi analizoi me kujdes ankesën e PTK-së erdhi në përfundim se edhe në ankesë konstatohet se humbjet janë shkaktuar nga aktiviteti kriminal “SIM TO SIM” (vjedhje e trafikut ndërkombëtar), informatë e botuar disa herë në media nga vetë PTK dhe përpjekjet e saj që edhe me ndihmën e eksperteve të huaj ta ndalë këtë vjedhje nga provajderët fantomë, për çka gjeti se edhe kjo ankesë nuk miratohet, nga se gazeta “Koha Ditore” me shkrimin e përmendur nuk ka shkelur asnjë Nen të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës.

III. Bordi i KMSHK-së shqyrtoi edhe ankesën e PTK-së për sa i përket artikullit të datë 26.05.2009 në gazetën “Koha Ditore”, artikulli me titull “Një BMW për drejtorin” sipas pretendimit të ankesës se PTK nuk ka blerë një veturë të tillë.

Bordi i KMSHK-së, duke shqyrtuar ankesën e përmendur, pasi dëgjoi argumentet e përfaqësuesit të “Kohës Ditore” dhe administroi si provë dokumentin: e PPRC të Kosovës, datë 23.05.2009 nr. i protokollit të PTK 09269121 dhe gjeti se nuk miratohet ankesa e përmendur, nga se informacioni i botuar në gazetën “Koha Ditore” ka mbështetur burimin e informacionit në dokumentin zyrtar të PPRC (Organi Shqyrtues i Prokurimit). Nga kjo rezulton se gazeta nuk ka bërë shkelje të dispozitave të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës.

IV. Për sa i përket ankesës së PTK-së lidhur me artikullin e datë 26 qershor 2009: “Armatoset drejtori i PTK-së dr. Haxha” Bordi i KMSHK-së konstatoi se lajmi është saktë, gjë që vërtetohet edhe nga burimet policore që lëshojnë leje, se “drejtori i PTK-së, për nevoja personale është pajisur me leje për mbajtjen e armës”.
Nga kjo del se lajmi nuk ka qenë i shpifur, por se është bazuar në burime të besueshme, për çka bordi vendosi që edhe kjo ankesë e PTK-së të mos miratohet.

V. Në ankesën e datë 7.08.2009, për artikullin e “Kohës Ditore” datë 2 gusht 2009 me titull “Bonuse në PTK si në bashqe të babës” PTK pretendon se gazeta ka shpifur duke akuzuar kryeshefin ekzekutiv të PTK-së për shpërblim të vetvetes me një bonus prej 10 mije euro, PTK, jo zyrtarisht konfirmon bonuset, por thotë se shumat janë më të vogla, kurse për kryeshefin ekzekutiv thuhet se nuk ka marrë as edhe një cent bonus.

Përfaqësuesi i gazetës tha se gazeta nuk ka arritur të marrë me shkrim dokumentin për bonusin e kryeshefit ekzekutiv, andaj ka botuar përgënjeshtrimet zyrtare për 10 mije eurot e përmendura dhe ka bërë saktësimin e informacionit se askush nga zyrtaret nuk e kanë vërtetuar marrjen e asaj shume nga kryeshefi i ekzekutivit të PTK-së, me çka ka plotësuar respektimin e Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës për botimin e të drejtës mbi raportimin e të vërtetës.

Bordi i KMSHK-së konstatoi se dy opinionet e botuara në gazetën “Koha Ditore”: me titull: “Letër e hapur proteste drejtorit të përgjithshëm të PTK-së” të datë 27 maj 2009 dhe opinioni i Flaka Surroit, datë 27 qershor 2009 me titull “Java 26” paraqesin opinionet e tyre personale të bazuara mbi faktet e artikujve të cekur më lartë.

Pas votimit të anëtarëve të bordit të KMSHK-së vendimi ishte unanim, 13 anëtarë ishin kundër që të miratohen ankesat e PTK-së me vetëm një abstenim.

Zyra e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës