8 November 2012

Vendim i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës ndaj ankesës së Kabinetit të Kryetarit të Komunës së Prishtinës, kundër gazetës “Lajm”

Vendim i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës ndaj ankesës së Kabinetit të Kryetarit të Komunës së Prishtinës, kundër gazetës “Lajm”
Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës në mbledhjen e tij të mbajtur me datën 06 nëntor 2012, pasi shqyrtoi ankesën Kabinetit të Kryetarit të Komunës së Prishtinës kundër gazetës Lajm lidhur me artikullin: “Mustafa i jep 25 tenderë Mustafës” të botuar me datën 03.09.2012, mori këtë:
VENDIM
– Ankesa nuk miratohet
ARSYETIM
Kabineti i Kryetarit të Komunës së Prishtinës ka dërguar ankesë kundër gazetës Lajm lidhur me artikullin: “Mustafa i jep 25 tenderë Mustafës” të botuar me datën 03.09.2012. Ankesa pretendon se artikulli në fjalë qëllimisht shtrembëron të vërtetën, ofendon zyrtarët komunalë dhe zyrtarë të operatorit ekonomik dhe se gazeta nuk e ka botuar reagimin e Komunës së Prishtinës.
KMSHK dëgjoi përfaqësuesin e gazetës Lajm i cili deklaroi se në artikullin e gazetës Lajm lidhur me 25 tenderët të cilët i ka fituar Ragip Mustafa nuk ka asnjë trillim ajo ka burime zyrtare për numrin, përmbajtjen dhe datat e dhënies së këtyre tenderëve. Përfaqësuesi i gazetës gjithashtu tha se gazeta Lajm ka kontaktuar disa herë me përgjegjësit e Komunës së Prishtinës dhe u ka shpjeguar se në ankesën e tyre drejtuar kësaj gazete gjenden akuza që në të vërtetë lidhen me artikullin e botuar në portalin Indeksonline e jo në gazetën Lajm. Ai shtoi se gazeta ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës që t’i drejtojë një reagim gazetës vetëm lidhur me shkrimin e saj mirëpo Komuna nuk e ka bërë këtë.
KMSHK gjen se gazeta Lajm nuk ka bërë shkelje të rregullave të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës për çka vendosi si në dispozitiv të këtij vendimi.
Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës