14 December 2011

Vendim i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës ndaj ankesës së Kabinetit së zëvendëskryeministres Edita Tahiri kundër gazetës “Infopress”

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, në mbledhjen e tij të rregullt, mbajtur më 29 nëntor 2011, duke vendosur lidhur me ankesën e Kabinetit të Zëvendëskryeministres, zonjës Edita Tahiri, kundër gazetës “Infopress” lidhur me artikullin e botuar me titull “Edita di” botuar më datë 24 tetor 2011, si dhe lidhur me ankesën e datës 25 tetor 2011, për sa i përket reagimit lidhur me shkrimin “Edita di” mori këtë

VENDIM

  • Miratohet ankesa

ARSYETIMI

Bordi i KMSHK-së në mbledhjen e tij të rregullt mbajtur më 29 nëntor 2011, shqyrtoi ankesën e Kabinetit të zëvendëskryeministres së Qeverisë së Kosovës, zonja Edita Tahiri lidhur me artikullin e botuar në gazetën “Infopress” të datë 24 tetor 2011, me titull “Edita di” si dhe ankesën e datë 25 tetor 2011, lidhur me pakënaqësitë e tij, pas botimit të përgjegjës së këtij Kabineti në gazetën “Infopress” me këtë rast bordi i KMSHK-së konstatoi se ankesa është e bazuar.

Ankuesi pretendon se artikulli në gazetën “Infopress” është i pavërtetë, pasi zonja Tahiri asnjëherë nuk ka kërkuar nga Zyra e Prokurimit të Kryeministrisë, as banese as veturë personale. Ankuesi, nuk ishte i kënaqur me sqarimin e redaksisë së gazetës me rastin e botimit të reagimit të tij, pasi ankuesi kishte kërkuar që gazeta të kërkojë falje publike.

 

KMSHK konstatoi se gazeta “Infopress” mbështetej në një “burim brenda kryeministrisë” i cili, si thotë gazeta, e kishte informuar atë se Z. Tahiri kishte bërë kërkesën në fjalë. Mirëpo, përfaqësuesi i gazetës, gjatë mbledhjes së bordit të KMSHK-së deklaroi se ai burim nuk i qëndron më fjalëve të tij, kështu që gazeta nuk mund të mbështetet edhe më tutje mbi këtë “burim anonim”.

KMSHK, pas kësaj vlerësoi se gazeta “Infopress” në një situatë të tillë duhet të dëshmojë burimin e raportimit, ose në të kundërtën ankuesit ti kërkojë falje publike. Gazeta “Infopress”, botoi më 30 nëntor 2011, informatën me titull: “Infopress” kërkon ndjesë lidhur me lëshimet në shkrimin “Edita di” të datës 23 tetor. Me këtë kërkim falje gazeta “Infopress” pranon se nuk mund të dëshmojë me ndonjë dokument zyrtar burimin e shkrimit të artikullit “Edita di”. Gazeta gjithashtu pranon se ka rënë në lajthitje duke u bazuar në informacione jokredibile.

KMSHK gjen se gazeta “Infopress” me artikullin “Edita di” ka bërë shkelje të Kreut II të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës (raportimi i të vërtetës).

Duke pasur parasysh gjendjen faktike të përshkruar me lartë, u vendos si ne dispozitiv të këtij vendimit.

Këshillit i Mediave të Shkruara të Kosovës