6 February 2008

Vendim i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës ndaj ankesës së Januz Krasniqit, drejtor i ATK-së, kundër gazetës “Lajm”

Z. Januz Krasniqi, drejtor i ATK-së,në kohën e dërgimit të ankesës kundër gazetës ,,Lajm,, më 07.12.07,ka kërkuar nga KMSHK të shqyrtojë një informatë pasi, si thuhet në ankesë: ,,Deri më 7 janar 2008, unë Januz Krasniqi,Drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës, nuk kam pranuar një vendim të tillë për shkarkim nga puna, as nga kryeadministratori apo përfaqësuesi i tij dhe as që është publikuar ndokund një vendim i tillë,,.

Artikulli në fjalë është botuar më 6 dhjetor 2007 me titull: “Ruecker nënshkruan shkarkimin e Januz Krasniqit?,,. KMSHK,pasi shqyrtoi faktet relevante të ankesës dhe përgjigjen e gazetës ,,Lajm,, si dhe vendimin e z. Ruecker, të 31 dhjetorit 2007, konstatoi se gazeta ka konsultuar tre burime të ndryshme dhe se në kohën e botimit të asaj informate ende po punonte një komision i formuar nga UNMIK-u për të shqyrtuar faktet kundër z. Krasniqit, që i kishte prezantuar ish ministri i financave, Haki Shatri, kur e kishte shkarkuar Z. Krasniqin, gjë që nuk ishte kompetencë e tij, por e UNMIK-ut.

Sipas gazetës ,,Lajm,, redaksia ka kërkuar që në fillim ndonjë prononcim nga z. Krasniqi lidhur me informatat se po punonte një panel për rastin e tij dhe të tjera, por ai nuk ka dëshiruar të ketë kontakte me gazetën duke pritur vendimin e KMSHK.

Z. Januz Krasniqi realisht u shkarkua nga posti i drejtorit të ATK-së, nga ana e PSSP-ja, më 31 dhjetor 2007 e jo me 6 dhjetor 2007 kur u paralajmërua shkarkimi i tij.