14 September 2012

Vendim i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës ndaj ankesës së INPO (Iniciativa për progres), kundër gazetës “Kosova Sot”

Vendim i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës ndaj ankesës së INPO (Iniciativa për progres), kundër gazetës “Kosova Sot”

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, në mbledhjen e tij të mbajtur me datën 11 shtator 2012, shqyrtoi ankesën e INPO-s (Iniciativa për Progres) kundër gazetës “Kosova Sot” lidhur me artikullin me titull “Rrënimet e bizneseve, Gashi të japë dorëheqje” të publikuar me datën 20.07.2012, mori këtë

V E N D I M
– Ankesa nuk miratohet
A R S Y E T I M I
INPO (Iniciativa për Progres), ka paraqitur ankesë kundër gazetës “Kosova Sot” lidhur me artikullin me titull “Rrënimet e bizneseve, Gashi të japë dorëheqje” të publikuar me datën 20.07.2012. Ankuesi pretendon se gazeta “Kosova Sot” përmes artikullit në fjalë ka botuar të pavërteta dhe ka shtrembëruar deklaratën e dhënë nga drejtori i organizatës INPO, z.Avni Bytyçi.

Përfaqësuesja e gazetës “Kosova Sot” duke iu përgjigjur pretendimeve të ankuesit ka sqaruar se artikulli është shkruar në bazë të një interviste që drejtori i INPO-s, z. Avni Bytyçi, i ka dhënë kësaj gazete. Çështja kontestuese ishte se z. Avni Bytyçi pohon se për dorëheqjen e zotit Gashi ka folur me kushtëzime: “nëse konstatohet se është e vërtetë për rrënimet selektive në komunën e Prishtinës…” atëherë INPO do të kërkonte dorëheqjen në fjalë e jo siç ka shkruar gazeta se INPO ka kërkuar dorëheqjen e z. Muhamet Gashi. Përfaqësuesja e gazetës “Kosova Sot” poashtu ka sqaruar se gazeta me kohë ka botuar reagimin e plotë të INPO-s me çka ka përmbushur detyrimet e saj nga Kreu 4 i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës (e drejta për t’u përgjigjur) i cili thotë: “Është obligim i gazetave, redaktorëve dhe i gazetarëve që të botojnë reagime dhe demante kur mediat publikojnë informata të pasakta për një individ apo organizatë”. Në këtë mënyrë gazeta ka plotësuar edhe detyrimin e saj që të botojë sqarimet e duhura për të arritur deri te e vërteta.

Bazuar në gjendjen faktike të konstatuar si më lartë KMSHK-ja vendosi si në dispozitiv të këtij vendimi.

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës