11 December 2015

Vendim i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës ndaj ankesës së Devolli Cooperation sh.p.k Pejë kundër gazetës Kosova Sot

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, në mbledhjen e tij të mbajtur më 24 nëntor 2015, shqyrtoi ankesën e Devolli Corporation sh.p.k Pejë, kundër gazetës Kosova Sot lidhur me artikullin “Devolli zvarritë vendimin gjyqësor për HC Emin Duraku” botuar më 5 tetor 2015. Ankuesi, Devolli Corporation sh.p.k. Pejë pretendon se artikulli me titull “Devolli zvarritë vendimin gjyqësor për HC Emin Duraku” botuar në gazetën Kosova Sot, merret me shkelje të Kreut II të Kodit të Mediave të Shkruara e që ka të bëjë me raportimin e së vërtetës.

Edhe pse i ftuar, përfaqësuesi i gazetës Kosva Sot nuk ishte i pranishëm në mbledhjen e bordit të KMShK-së. Poashtu, nga gazeta Kosova Sot nuk kishte ndonjë përgjigje lidhur me këtë ankesë.

KMShK, pasi analizoi me kujdes ankesën dhe diskutoi rreth artikullit, gjeti se ankesa nuk miratohet.

Në fakt, artikulli jep disa sqarime se kontesti ka të bëjë me HC Emin Durakun dhe AKP-në, për të cilin ende nuk është marrë një vendim.

Bordi i KMShK-së ishte unik se artikulli në fjalë nuk ka bërë shkelje të Kreut II Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës siç pretendon ankesa, për çka edhe u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi.