28 December 2011

Vendim i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës ndaj ankesës së Bedri Nikës kundër gazetës “Express”

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës në mbledhjen e tij të mbajtur më datë 27 dhjetor 2011, pasi shqyrtoi ankesën e Bedri Nikës,lidhur me artikullin e datë 15 dhjetor 2011, me titull: “Falsifikuesi nga Parlamenti” botuar në gazetën “Express”, andaj mori këtë

VENDIM

  • Nuk miratohet ankesa

ARSYETIMI

 

Bordi i KMSHK-së më datë 16 dhjetor 2011, ka pranuar një ankesë nga Bedri Nika, kundër gazetës “Express” lidhur me artikullin e botuar më 15 dhjetor 2011 me titull: “Falsifikuesi nga Parlamenti”. Në ankesë, ankuesi pretendon se vet titulli i artikullit është denigrues dhe shpifës ndaj tij.

Bordi i KMSHK-së, pasi dëgjoi përfaqësuesin e gazetës “Express” me ç’rast ai tha se artikulli është shkruar duke u mbështetur në të dhënat e zyrtarëve nga hetuesia dhe policia andaj gazeta nuk ka shpifë kështu që edhe artikulli nuk është shpifës dhe denigrues siç pretendon ankuesi.

Anëtarët e bordit të KMSHK-së shqyrtuan edhe aktvendimin e gjyqtarit ndërkombëtar të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, në të cilin pohohet se janë sekuestruar dollarë të falsifikuar,të poseduar nga ankuesi dhe dy persona tjerë. Mirëpo, i njëjti gjyqtar kishte vendosur sa i përket bazueshmërisë së caktimit apo mos caktimit të paraburgimit, andaj edhe aktvendimi i gjykatës konfirmon posedimin dhe konfiskimin e parave false, ndërsa ky aktvendim nuk kishte të bënte lidhur me gjykimin e çështjes.

Gjithashtu KMSHK në këtë mbledhje të bordit të tij u informua edhe me aktvendimin e gjyqtarit penalist të EULEX-it, pranë Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, Viktor Hugo Pardal, të datë 10 dhjetor 2011, me të cilën refuzohet si e pabazë kërkesa e Prokurorit të PSPK për të qëndruar edhe më tej në paraburgim të katër të pandehurit. Ankuesi Bedri Nika ka qenë nën hetime nga data 8 dhjetor 2011. Në këtë aktvendim thuhet se “sipas nenit 244 paragrafi 1 i KPK, përkundër seriozitetit apo sasisë së parave të falsifikuara, veprime të dëmshme janë në mënyrë specifike ato, duke prodhuar para të falsifikuara ose duke i shëndruar ato në para të vërteta. Ne atë aktvendim thuhet se është raportuar nga kontrolli se të gjithë të pandehurit ishin të lidhur me paratë e konfiskuara”. Më tej thuhet se “vetëm posedimi i parave të falsifikuara, përkundër vlerës së tyre, nuk mund të konsiderohet si vepër penale dhe se “nuk donë të thotë se situata nuk mund të ndryshojë me prova të mëtejme”.

Duke marre parasysh se gazeta “Express” në shkrimin e saj ka dhënë vetëm fakte të marra në hetuesi pas fillimit të hetimeve të datës 8 dhjetor 2011, dhe pa prejudikuar asgjë dhe duke e theksuar deklaratën e zëdhënësit të policisë Baki Kelani se “për rastin janë duke u grumbulluar të gjitha provat dhe janë duke u verifikuar të gjitha dyshimet për tu dorëzuar në prokurori për kompletim, KMSHK konstatoi se gazeta nuk ka shpifë për dollarët e falsifikuar të gjetur tek të përmendurit as për fillimin e hetimeve kundër Bedri Nikës dhe tre personave të tjerë andaj nuk ka shkelur Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës.

Bazuar në atë që u paraqit si më lartë, u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi.

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës