Vendim i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës ndaj ankesës së Agron Selimajt kundër gazetës Koha Ditore
Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, në mbledhjen e tij të rregullt të mbajtur më 7 mars 2017, shqyrtoi ankesën e Agron Selimajt, ish drejtor i AKI-së, kundër gazetës Koha Ditore në lidhje me artikullin “Dorëheqja e dyshimtë e kreut të AKI-së”, botuar më 28 janar 2017, dhe mori këtë
V E N D I M
- Ankesa nuk miratohet
A R S Y E T I M I
Në ankesë thuhet se artikulli i botuar në gazetën Koha Ditore ka shkelur Kodin e Medieve të Shkruara për mosinformim të qytetarëve saktë, dhe për shkak të mosbajtjes së parimit të së drejtës për komentim të duhur.
Gjithashtu, për “zëvendësim të funksioneve specifike të autoriteteve apo institucioneve publike”, për “mosrespektim të së vërtetës faktike dhe për dështim të qëllimshëm për të dëgjuar të gjitha palët e cekura në artikullin e botuar.
KMShK duke shqyrtuar ankesën e Agron Selimajt ka pasur parasysh se ky artikull është shkruar duke u mbështetur në draft-raportin e përpiluar nga Departamenti i Auditmit të AKI-së, si dhe raportit financiar që është dërguar nga inspektorati i AKI-së në Qeverinë e Kosovës.
Raporti së pari është publikuar nga portali Insajderi.
Përfaqësuesi i gazetës Koha Ditore tha se redaksia e tij ka qenë e interesuar të dijë nëse Agron Selimaj ka dhënë dorëheqje nga posti i drejtorit të AKI-së për arsye të “përkushtimit ndaj familjes”, apo për shkak të gjetjeve të radhitura brenda një letre të dërguar në adresë të kyreministrit të Kosovës nga ana e tre punonjësve të Departamentit të Auditimit të AKI-së.
As ankuesi nuk mohon se atë ditë nga redaksia e gazetës Koha Ditore ka marrë sms me këtë përmbajtje, por ai nuk është përgjigjur.
Anëtarët e bordit të KMShK-së vlerësuan se gazeta Koha Ditore duke përcjellë pjesë nga raporti i Auditorit të AKI-së nuk ka zbuluar çështje strategjike e as të sigurisë, pra çëshjte të klasifikuara.
Andaj, duke marrë parasysh të gjitha këto vendosi që ankesa të mos miratohet. Por sipas Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, gazeta është e obliguar që të botojë reagimin e ankuesit me elemente të reja në të mirë të lirisë së shtypit.
Bazuar në atë që u tha më lartë, KMShK vendosi si në dispozitiv të këtij vendimi.
Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës