17 July 2007

Vendim i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës ndaj ankesës së Agjensionit Kosovar Kundërkorrupsionit, kundër gazetës “Epoka e re”

Agjencia e Antikorrupcionit të Kosovës, ka parashtruar një ankesë kundër gazetës ,,Epoka e re,, përkitazi me shkrimet e botuara më 8 dhe 9 maj 2007.

  1. KMSHK konstatoi se është i vërtetë fakti se Agjencia Antikorrupcion e Kosovës, të vetmen kumtesë zyrtare pas përfundimit të rrethit të dytë (u krye më 4 maj 2007) të paraqitjes së obligueshme të pasurisë së liderëve politik dhe zyrtarëve tjerë të lartë, ka distribuuar në media, më 8 maj 2007. Burimet e paidentifikuara, siç shkruan “Epoka e re” që kishin lajmëruar Agjencinë “Kosova Press” për numrin e të paraqiturve, mbi 200 persona në rrethin e dytë, nuk janë të sakta.
  2. Është i pakontestueshëm numri prej 40 personave që deri në përfundimin e afatit të dytë të paraqitjes, nuk kishin paraqitur pasuritë e tyre pranë Agjencisë së Antikorrupcionit. Disa prej tyre, këtë obligim e kane kryer të nesërmen (siç shihet nga intervistat e botuara në ,,Epoka e re,, si dhe deklarata e një personi, i cili thotë se nuk punon më në vend udhëheqës, prandaj nuk ka obligim për paraqitjen e pasurisë. Edhe kjo është sqaruar në Kumtesën e Agjencionit të Antikorrupcionit si dhe në intervistën që ,,Epoka e re,, ka zhvilluar me Hasan Pretenin, Drejtor i AKK-së, më 11 maj 2007. Në këtë mënyrë është përmbushur detyrimi i redaksisë sipas kapitullit të katërt të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës.
  3. Mbetet kontestuese pse AKK nuk ka shpallur ende emrat dhe pasuritë e deklaruara të personave të obliguar me ligj. KMSHK konsideron se duhet të behet dallim midis ,,sekretit zyrtar,, gjatë veprimtarisë hulumtuese të AKK-së rreth rasteve të korrupsionit dhe të drejtës së qytetarëve qe të informohen sa kanë pasuri njerëzit e pushtetit dhe të obliguarit tjerë, të gjitha këto në mbështetje të Ligjit për qasje në dokumentet zyrtarë. Për këtë duhet ta thotë fjalën e tij Kuvendi i Kosovës. Nëse ka nevojë për sqarime ligjore, kjo duhet të bëhet sa më shpejtë, por praktika e vendeve demokratike është e qarte: funksionarët i shpallin publikisht pasuritë dhe prejardhjen e tyre.
  4. KMSHK mendon se ,,Epoka e re,, nuk e ka shkelur Kodin e Mediave te Shkruara në rastin e shkrimeve lidhur me Agjencinë Antikorrupsion, pasi ka përcjellë qëndrimet e të gjitha palëve dhe mund te kuptohet se qëllimi i artikujve të përmendur ka qenë ta ngrisë këtë problem në opinion për të arritur publikimin e pasurive të personave të obliguar me Ligjin e Kosovës kundër Korrupsionit dhe prejardhjen e pasurive në fjalë. Këtë e parasheh kreu i parë, pika 5 e Kodit tonë.