8 January 2016

Vendim i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës ndaj ankesave të Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut kundër portalit Bota Sot

KMShK në mbledhjen e tij të mbajtur më 22 dhjetor 2015, shqyrtoi 5 ankesa me numër të regjistrimit si në vijim: 466(01.12.2015);467(10.12.2015);469,470,473(14.12.2015);të gjitha të parashtruara nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut kundër portalit Bota Sot.

Këto ankesa kanë të bëjnë me nxitjet e gjuhës së urrejtjes në komentet e lexuesve të këtij portali lidhur me rreth 20 artikuj të ndryshëm.

Portali Bota Sot i ka larguar këto shprehje fyese të gjuhës së urrejtjes, me çka ka plotësuar detyrimin i cili del nga Kodi i Mediave të Shkruara të Kosovës.

Në arsyetimin e portalit Bota Sot thuhet se këto shprehje janë publikuar përkohësisht për shkak të numrit të madh të komentuesve, dhe numrit të pamjaftueshëm të stafit për t’i menaxhuar ato.

Pas shqyrtimit të ankesave KMShK vendosi që ato të miratohen. KMShK, gjithashtu kërkoi nga mediat që të kenë më shumë kujdes në përmbajtjen e artikujve që publikojnë, dhe të mos lejojnë publikimin e çfarëdo forme të gjuhës së urrejtjes.

Bazuar në atë që u tha më lartë, KMShK vendosi si në dispozitiv të këtij vendimi.

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës