5 March 2008

Vendim i Këshillit Të Mediave Të Shkruara Të Kosovës i datës 28.02.2008

Në mbledhjen e tij të rregullt të mbajtur më 28 shkurt 2008, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës shqyrtoi tri ankesa dhe vendosi:
Që ankesa e KEK–ut kundër gazetës ,,Infopress,, lidhur me artikujt e botuar në këtë gazetë më 12 janar 2008 me titull ,,Premtohet rritje pagash për 30%,, dhe më 16 janar 2008 me titull “Zyrtarët e KEK-ut punësojnë të afërmit e tyre” të mos miratohet pasi gazeta ,,Infopress,, nuk ka shkelur Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës.

Në bazë të dokumentacionit që i është prezantuar KMSHK-së nga ana e gazetës ,,Infopress,, shihet se ishte arritur një marrëveshje midis z. Remzi Shahini, drejtor menaxhues i KEK-ut dhe Izet Mustafës, Kryetar i Sindikatës së KEK–ut për dërgimin e propozimit në Bordin e KEK-ut për rritjen e pagave mujore prej 30% duke mos përfshirë nivelin menaxherial të KEK-ut.

Në artikullin tjetër: ,, Zyrtarët e KEK-ut punësojnë të afërmit e tyre ,,gazeta u ka dhënë vend të barabartë gazetarit të vet dhe deklaratave të zëdhënësit të KEK-ut Nezir Sinani. Mirëpo, gazeta gjithashtu ka botuar pikat kryesore të sqarimeve të KEK-ut, me çka, gazeta ka përmbushur Kreun e katërt të Kodit tonë që parashikon të drejtën për ta botuar përgjigjen.

Gjithashtu Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, është i mendimit që parimisht menaxhmenti i KEK-ut ta udhëzojë zëdhënësin e vet që sa te jetë e mundur më shumë ti respektojë detyrat që rrjedhin nga përshkrimi i vendit të tij të punës dhe sa me pak të angazhohet në politikëbërjen e Kompanisë.

Duke shqyrtuar ankesën e Jeta Xharrës, Drejtoreshë e BIRN për Kosovën kundër gazetës ,, Epoka e re,, e cila më 21 janar 2008 botoi një opinion të gazetarit Milaim Zeka me titull : “Nuk është mirë të abuzosh me emrin e AKSH-së”, KMSHK vlerësoi artikullin gjithëpërfshirës të Krenar Gashit i cili i hodhi dritë një teme aktuale duke konsultuar shumë burime.
Artikulli i Gashit i përket kategorisë së lajmit sipas Kodit tonë, ndërsa polemikat e pastajshme në “Epokën e Re” i takojnë opinioneve.

Nisur nga kapitulli i dytë i Kodit tonë, i cili bën dallim të qartë midis lajmeve e opinioneve, ku opinionet bartin mendime, ide, besime apo gjykime individuale, konsiderojmë se ky opinion në gazetën “Epoka e Re” i takojnë opinioneve në gazetën “Epoka e Re”, kështu që nuk mund të ndëshkohet. Njëherësh KMSHK konstatoi se polemikat e botuara lidhur me artikullin e Krenar Gashit, nuk koncentrohen në temën bosht, por në njollosjen individuale.

Theksojmë edhe njëherë se KMXHK nuk ka të drejtë të përcaktojë asnjë formë të shprehjes së lirë, por është kundër niveleve të papranueshme të fyerjeve dhe në të mirë të mbisundimit të fakteve.
Naser Osmani, zëvendësministër i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë është ankuar gazetës “Koha Ditore”, e cila më 15.02.2008, botoi artikullin me titull “Zëvendësministër Osmnani kërcënon me likuidim zyrtarin e AKR”-së.

Bordi i KMSHK-së, konstatoi se artikulli në fjalë ka cituar tre burime që ishin prezentë në momentin kritik. Por, ndonëse gazetari kërkoi prononcim për ngjarjen edhe nga Z. Osmani, ai kishte mohuar ngjarjen dhe duke deklaruar se tema për të cilën interesohej gazetari ishte “idioteske, shumë e ulët dhe joprofesionale”.

Gjithashtu, përgjigja me shkrim që z. Osmani ia dërgoi redaksisë së “Koha ditore”, sipas përfaqësuesit të gazetës në Bord, nuk u botua pasi nuk sqaronte temën kryesore të artikullit, por përmbante akuza kundër gazetarit.

Bordi i KSHMK-së vendosi që të mos e miratojë as këtë ankesë.
Prishtinë, 29 shkurt 2008.
Zyra e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës