11 June 2015

Vehbi Kajtazi fiton Ҫmimin e parë të BE-së për gazetarinë hulumtuese

Prishtinë, 11 qershor 2015
Të mërkurën, më 10 qershor 2015, në Prishtinë, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës ndau 3 çmime të BE-së për gazetarinë hulumtuese. Ҫmimi i parë iu nda Vehbi Kajtazit, gazetar në gazetën Koha Ditore, për storien hulumtuese “Dyshime të forta për korrupsion në EULEX”. Këtë çmim, Vehbi Kajtazit ia dorëzoi Nehat Islami, Drejtor ekzekutiv i KMShK-së dhe Kryetar i jurisë. Ai me këtë rast deklaroi: Atë çka nuk arritën shpesh ta bënin organet shtetërore të gjyqësisë e hetuesisë, e bënë gazetarët duke nxjerrë në shesh storie të korrupsionit, keqpërdorimeve të ndryshme, deri në krim të sofistikuar. Së fundit, kjo është njëra nga detyrat sublime të gazetarisë hulumtuese, që duke i mbledhur kokërrat e shpërndara që në fillim nuk thonë asgjë, të krijojnë një mozaik për të vërtetën e një ngjarjeje.”

Ҫmimin e dytë e mori gazetarja Jeta Xharra dhe ekipi i kallxo.com: Qëndresa Mustafa, Kreshnik Gashi dhe Mehdi Mulaj, për storien hulumtuese “Skandalet e mjekëve me stenta”. Këtë çmim e ndau Arbana Xharra, kryeredaktore në gazetën Zëri.

Ҫmimi i tretë i konkursit për gazetarinë hulumtuese, i cili u shpall më 16 mars 2015, i takoi Lavdim Hamidit dhe Alban Selimit të gazetës Zëri, për serinë e stories hulumtuese rreth migrimit ilegal të kosovarëve, “Vilat e trafikimit, Subotica, Kosova në miniaturë, Serbia toleron trafikantët”. Këtë çmim e ndau Thomas Gnocchi, shef i sektorit politik, ekonomik dhe integrimeve europiane i Zyrës së BE-së në Kosovë, i cili pos tjerash tha: “Ne jemi sot këtu për herë të parë për të festuar për fituesit për gazetarinë hulumtuese. Mediat e lira dhe të pavarura janë esenciale në çdo shoqëri demokratike. Pa liri të shprehjes dhe liri të mendimeve, rritja e qytetarisë aktive është e pamundur”.

Arsyetimin e jurisë e cila përbëhej nga Nehat Islami, KMShK, Bardh Rugova, profesor i Universtetit të Prishtinës dhe publicist, Anamari Repic, zëvendës drejtoreshë e RTK-së, Lorik Bajrami, drejtor ekzekutiv i organizatës COHU! dhe Artan Mustafa, gazetar i pavarur, e paraqiti Bardh Rugova.

“Ata kanë ardhur në Kosovë për të siguruar drejtësi dhe ligj. Një mision i besueshëm ndërkombëtar i quajtur EULEX. Mirëpo, drejtësisë së këtij misioni në një kohë nuk i besuan as prokurorët e tij. Për hulumtimin e mbështetur në dokumente zyrtare, hulumtim që ka shpalosur të dhëna për dyshime për korrupsion e keqpërdorim në misionin e Bashkimit Evropian për sundim të ligjit në Kosovë; për rrëfimin që vuri në lëvizje gjithë mekanizmat e BE-së, juria ka vlerësuar që Çmimi i parë për gazetarinë hulumtuese i Bashkimit Evropian, t’i takojë gazetarit të “Kohës Ditore”, VehbiKajtazi për shkrimin “Dyshime të forta për korrupsion në EULEX”. – tha Rugova.

“Gishtërinj akuze për korrupsion në sektorin e shëndetësisë në Kosovë ka pasur tash e një kohë të gjatë. Megjithatë, një rrëfim hulumtues ka arritur të identifikonte raste konkrete, në të cilat mjekë të ndryshëm, duke lajthitur pacientët e tyre, do të fitonin shuma të mëdha parash në dëm të atyre, të cilët po ua besonin jetën e tyre” – shtoi Rugova.

Për kërkimin këmbëngulës, me të cilin jo vetëm indentifikohet problem i vënies së stendave në spitalet private në Kosovës, por edhe shpaloset rrjeti i organizatave për përfitime nëpërmjet kësaj dukurie, Jeta Xharra dhe ekipi i Kallxo.com, Qëndresa Mustafa, Mehdi Mulaj dhe Kreshnik Gashi, me storien “Skandalet e mjekëve me stenda” janë vlerësuar nga juria me shpërblimin e dytë të Çmimit për gazetarinë hulumtuese në Kosovë.

“Askush nuk e di saktësisht se përse vërshoi vlugu i kosovarëve që i msyen shtetet e Bashkimit Europian më 2014. Mirëpo, një hulumtim gazetarësh ka shpalosur udhën e emigrantëve dhe ka nxjerrë në pah detaje të tjera të kalimit ilegal të kufirit të mijëra njerëzve. Prandaj, për rrëfimin e tyre kërkues që zbuloi mënyrën se si realizohej ky emigrim; për nxjerrjen në shesh të interesave dhe të metodave të trafikantëve që përfitonin nga kalimet ilegale të kufirit si dhe për ndiçimin e detajeve të tjera të rrjetit të trafikantëve përfitues, gazetarët e “Zërit”, Lavdim Hamidi dhe Alban Selimi janë vlerësuar nga juria me çmimin e tretë të Çmimit të BE-së për gazetarinë hulumtuese në Kosovë për serinë e tyre prej tre shkrimesh: Vilat e trafikimit, Subotica, Kosova në miniaturë dhe Serbia toleron trafikantët” – përfundoi Rugova arsyetimin e jurisë.

Cermonia solemne e ndarjes së këtyre shpërblimeve në vlerë prej 4000 € për vendin e parë, dhe nga 3000 € për dy vendet tjera u organizua në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në një ambient shumë tërheqës ku morën pjesë shumë gazetarë vendorë dhe ndërkomëbtarë dhe përfaqësues të jetës kulturore në Prishtinë.

Çmimi i BE-s ë për gazetarinë hulumtuese do të ndahet edhe për dy vite me radhë, më 2016 dhe 2017.