25 November 2015

Transparenca, vetërregullimi dhe respektimi i standarteve profesionale në mediat online

Shtimi shumë i shpejtë i mediave online, që në gjuhën e përdishme njihen si portale, ngrit disa çështje rreth transparencës, vetërregullimit dhe respektimit të standardeve profesionale për këto media. Pikërisht për këtë, Imer Mushkolaj, kryetar i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, në kuadër të projekit të Observatorit të Mediave të Europës Juglindore, prezantoi sot analizën e shkurtë: “Transparenca, vetërregullimi dhe respektimi i standarteve profesionale në mediat online“.

Autori i kësaj analize ndër të tjera theksoi se publikimi i emrave të personave përgjegjës dhe adresat e këtyre mediave si dhe botimi i autorëve të artikujve që publikohen dhe i burimeve nga huazohen shkrimet do të ishte një fillim i mirë në këtë rrugëtim jo të lehtë.

Agon Maliqi, redaktor i blogut Sbunker dhe njëri prej panelisteve të këtij diskutimi, tha se krijimi i një databaze të mediave online do t’i kontribuonte cilësisë së shkrimeve dhe respektimit të etikës së gazetarisë – që janë dy nga preokupimet kryesore të këtyre mediave.

Furtuna Sheremeti, eksperte ligjore për media tha se është mirë që Këshilli i Mediave ka filluar t’i përditësojë aktet e veta normative përfshirë këto Kodin e Mediave, statutin dhe rregulloret e këtij organi me situatat e krijuara nga mediat online. Ajo theksoi se respektimi i etikës së gazetarisë duhet të jetë preokupim kryesor i gazetarëve, e pastaj ligjet do të kishin më pak punë.

Kontribut kësaj tryeze i dha edhe Driton Qeriqi, nënkryetar i bordit të Komisionit të Pavarur të Mediave, i cili theksoi se sa i përket mediave elektronike krijimi i një database për to nuk do të paraqiste asnjë problem.