15 March 2017

Thirrje për konkursin për Çmimin e BE-së për gazetarinë hulumtuese

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, si anëtar i partneritetit rajonal të organizatave të shoqërisë civile, i cili menaxhon Ҫmimin për Gazetarinë Hulumtuese, shpall konkurs për çmimet për storiet hulumtuese të botuara në periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2016, të cilat raportojnë për çështje sociale në lidhje me keqpërdorimin e pushtetit dhe të drejtave themelore, korrupsionin dhe krimin e organizuar në Kosovë, të cilat nuk do të ishin bërë të ditura për publikun në ndonjë mënyrë tjetër.

Për çmimin e BE-së mund të paraqiteni me storie hulumtuese të botuara apo transmetuara në çdo lloj të mediave në Kosovë: media të shkruara, radio, televizion, media online apo të kombinuara. Për çmimin mund të nominohet një gazetar apo grup gazetarësh. Konkursi është i hapur për gazetarët profesionistë, të cilët kryejnë çfarëdo pune apo angazhimi në media (p.sh. të punësuar me orar të plotë, të angazhuar me punë me honorar, të vetëpunësuar, e kështu me radhë). Gazetarët hulumtues të lindur në vitin 1981 apo më vonë, ose një grup gazetarësh me një gazetar udhëheqës dhe me së paku një gazetar në grup të lindur në vitin 1981 apo më vonë, do të kualifikohen për nënkategorinë ‘storia më e mirë hulumtuese nga gazetarët e rinj”. Gazetarët e rinj, gjithashtu, kualifikohen për çmimin kryesor.

Për çmimin për gazetari hulumtuese mund të nominohen storiet hulumtuese të botuara apo të transmetuara në mediat në Kosovë (për publikun e Kosovës në gjuhët zyrtare, në gjuhën e minoriteteve apo në gjuhë ndërkomëtare). Nominimeve për storiet hulumtuese të botuara në mediat e Kosovës për publikun e Kosovës në gjuhët që nuk janë zyrtare në Kosovë (në gjuhën e minoriteteve apo në ato ndërkombëtare) duhet t’u bashkëngjitet edhe përkthimi në gjuhët zyrtare të vendit. Fondi i çmimit në Kosovë për vitin 2017 (për të arriturat në vitin 2016) është 10,000 Euro.

Tri nominimet më të mira do të shpërblehen.

Ҫmimi individual është ndërmjet 3000 dhe 5000 eurove.  Ҫmimi për nënkategorinë për storien më të mirë nga gazetari i ri është 3000 euro.

Udhëzimet e plota për dorëzim të nominimit dhe aplikacionit i gjeni në faqen zyrtare të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës:http://presscouncil-ks.org/cmimi-i-be-se-per-gazetarine-hulumtuese/

Data e fundit për dorëzim të aplikacioneve/nominimeve është: 5 prill 2017; ora 00:00