6 December 2017

Si paraqiten fëmijët në media?

Sot, më 6 dhjetor, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) së bashku me Zyrën e UNICEF-it në Kosovë organizoi konferencën “Media dhe Fëmijët”.

Në këtë konferencë u bë prezantimi i Udhëzuesit për Mbrojtjen e Fëmijëve në Media, i cili ka për qëllim të ofrojë sqarime më të detajuara sa i përket zbatimit të Kapitullit të gjashtë të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës.

Për të diskutuar për këtë temë, Këshilli i Mediave ka ftuar Flutura Kusarin, autore e udhëzuesit, Pieter Knapenin, Sekretar/Ombudsperson i Këshillit të Mediave në Belgjikë, dhe Petrit Çollakun nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Në fjalën e tij hyrëse, Brandaou Co, nga Zyra e UNICEF-it në Kosovë, tha se mesazhi të cilin kjo konferencë dëshiron ta përçojë është se duhet të ngritet vetëdijësimi për rolin të cilin e kanë mediat për të avokuar për të drejtat e fëmijëve.

“Qëllimi kryesor i këtij takimi është të ngrisim vetëdijësimin për rolin e mediave për të avokuar për të drejtat e fëmijëve, për të kërkuar më shumë përgjegjësi nga institucionet për çështjet të cilat ndikojnë te fëmijët dhe të sjellim në agjendat e politikave vendore çështjet e fëmijëve dhe familjeve më të ndjeshme dhe më të përjashtuara”, u shpreh ai.

Imer Mushkolaj, kryetar i Bordit të Këshillit të Mediave, theksoi rëndësinë e këtij udhëzuesi, edhe pse tha se çështjet e raportimit të fëmijëve në media përfshihen në Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës.

“Natyrisht se çështja e raportimit të fëmijëve është e përfshirë në Kodin e Mediave, mirëpo ky udhëzues i trajton këto çëshjte në mënyrë më të detajuar, dhe natyrisht se secili gazetar i ri apo me përvojë e ka mundësinë që përmes këtij udhëzuesi të shohë në hollësi se si do të duhet të raportohet për fëmijët”, tha ai.

Flutura Kusari, jursite e së drejtës për media dhe autore e udhëzuesit tha se ky dokument synon të mbështesë qëllimet më të mira të gazetarisë etike dhe t’i shërbejë interesit publik pa i shkelur të drejtat e fëmijëve.

“Udhëzuesi mëton të orientojë gazetarët se si t’i mbulojnë sa më mirë tematikat që prekin interesat e fëmijëve. Ai nuk ofron përgjigje në secilën pytje që mund të kenë gazetarët, meqë secili rast i raportimit duhet të analizohet veç e veç”, u shpreh Kusari.

Ajo gjithashtu tha se mediat gjithmonë e kanë dilemën a ta botojnë një infromacion shpejt e me kohë apo të presin e t’i shohin të gjitha rregulloret para se të botojnë infomacionin.

Pieter Knapeni nga Këshilli i Mediave të Blegjikës prezantoi Udhëzuesin për mbrojtjen e fëmijëve në media në Belgjikë. Duke dhënë disa shembuj konkretë për disa raste kundërthënëse të raportimit për fëmijë, ai u ndal te rëndësia e lirisë së shprehjes, mbrojtjes së fëmijëve, si dhe përmendi nevojën për pëlqim paraprak kur raportojmë për fëmijët në media.

Si pjesë e këtyre diskutimeve u rekomandua të formohet një koalicion joformal i cili do të merrej konkretisht me raportimin e fëmijëve në media, si dhe u ngrit çështja e lëndës së etikës në fakultetet e gazetarisë të Universiteteve publike dhe kolegjeve private.

Zyra e UNICEF-it në Kosovë në bashkëpunim me Këshillin e Mediave të Shkruara, Asociacionin e Gazetarëve dhe me partnerë të tjerë do të vazhdojë të punojë në përmirësimin e raportimit dhe mbrojtjes së fëmijëve në media, do të punojë me universitetin publik e kolegjet private në ngritjen e kapacitetit të gazetarëve të ri në raportimin e drejtë rreth çështjeve që kanë të bëjnë me dhe për fëmijët.