13 February 2007

PTK

Vendim i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës lidhur me ankesën e PTK-së kundër gazetës “Kosova sot”

PTK (Departamenti Legal i PTK.Sh.A.) i është drejtuar Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës me një ankesë, datë 27 dhjetor 2006, kundër gazetës “Kosova sot” lidhur me artikullin me titull : “PTK-ja i ndan mediat në “ miqësore” dhe “jomiqësore”.

Gazeta “Kosova sot” ka botuar e pastaj i ka dërguar edhe KMSHK-së fotokopjen e e-mailit që posedon kjo gazetë se me 18 korrik 2006, Z. Tomas Melcior, shef operues i PTK-së, i shkruan Astrit Gashit, zyrtar për marrëdhënie me publikun ku shihet se PTK ka bërë ndarjen e mediave në “miqësore” ku janë gazetat: “Koha ditore”, “Express”, ”Lajm”,”Epoka e re”,”Bota sot” dhe “Iliria post” dhe “jomiqësore”: “Kosova sot”, “Zëri” dhe “Pavarësia News”.

Sipas kapitullit II, neni 1. të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës “gjatë punës së tyre, gazetarët dhe redaktorët do të sigurojnë respekt për të vërteten faktike dhe për të drejtën e publikut që ta dijë të vërtetën”.
Zyra e KMSHK-së ka komunikuar me shkrim me PTK-në dhe asnjëherë nuk ka marrë ndonjë dyshim nga PTK se ajo e–mail korrespondenca të mos jetë e besueshme.

Këshilli i Mediave të Shkruara në mbledhjen e vet të mbajtur më 31 janar 2007 ka shqyrtuar ankesën e parë të PTK-së rreth artikullit në “Kosova sot” me titull: “PTK ndan mediat në “miqësore” dhe “jomiqësore” dhe ka konstatuar se gazeta ka shfrytëzuar burimet e saja për të gjetur e-mail korrespodencën e lartpërmendur, si një shembull tipik të gazetarisë hulumtuese dhe të ngjeshur me fakte.

KMSHK dënon çdo tendencë për të ndarë mediat e Kosovës në “miqësore” dhe “jomiqësore” e aq me parë kur këte e bëjne ndërmarrjet publike.
KMSHK ka marrë qëndrim që lidhur me të gjitha akuzat e tjera të botuara për si thuhet në gazetën “Kosova sot” keqpërdorime financiare, abuzime të fondeve në PTK, fjalën e tyre duhet ta thonë hetimet e auditorëve të brendshëm dhe të jashtëm, si organet të specializuara për auditim.

KMSHK do të kërkojë që rezultatet e auditimeve të jashtme dhe të brendshme lidhur me zbulimet e të vërtetës në këto shkrime të botohen në tërësi në të gjitha mediat e shkruara, anëtare të KMSHK-së, pasi ato të jenë bërë zyrtare.

Gjithashtu KMSHK konstaton se në artikullin “PTK-ja i ndan mediat në “miqësore” dhe “jomiqësore” nuk ka fyerje as shpifje.