12 May 2017

Opinion i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës ndaj ankesës së Venera Gashit kundër KosovaPlus

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, në mbledhjen e tij të rregullt të mbajtur më 25 prill 2017, shqyrtoi ankesën e Shoqatës së Pavarur Sindikale të Administratës së Komunës së Pejës kundër portalit KosovaPlus lidhur me artikullin “Malverzimet në Sindikatën e komunës së Pejës, publikuar më 16 mars 2017, dhe nxorri këtë

O P I N I O N

  • Ankesa miratohet

A R S Y E T I M I

Në ankesë thuhet se Gani Gashi, kryetar i Sindikatës së Administratës komunale të komunës së Pejës fyhet si “ish punëtor i sistemit të Sllobodanit” dhe se ai ka keqpërdorur fondin e shoqatës prej 2500 euro, pa botuar asnjë provë të bazuar.

KMShK konstatoi se ky lajm ka mangësi në aspektin e Kodit të Mediave të Shkruara pasi nuk ka botuar fakte për atë që shkruhet, dhe kështu ka shkelur Kreun II (Raportimi i së vërtetës).

Gjithashtu, portali ka qenë i detyruar ta botojë reagimin. Duke mos e bërë këtë, portali ka shkelur Kreun IV (E drejta për t’u përgjegjur) të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës.

Ky opinion u nxorr unanimisht nga të gjithë anëtarët e pranishëm në mbledhje.

Bazuar në atë që u tha më lartë, KMShK vendosi si në dispozitiv të këtij opinioni.

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës