21 April 2017

Opinion i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës ndaj ankesës së Shkëlqim Devolli kundër gazetës Kosova Sot

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, në mbledhjen e tij të rregullt të mbajtur më 28 mars 2017, shqyrtoi ankesën e Shkëlqim Devollit kundër gazetës Kosova Sot lidhur me artikullin “Skandaloze: Grabovci – Devollët, këqyr se s’mujta me të thirrë…m’u ka zbraz krejt fyti”, botuar më 1, 2, dhe 3 janar 2017, dhe nxorri këtë

O P I N I O N

Ankesa miratohet

A R S Y E T I M I

Ankuesi pretendon se Gazeta Kosova Sot ka shkelur Kodin e Mediave të Shkruara pasi në artikull nuk ka paraqitur fakte të bollshme për t’i mbështetur konstatimet e veta dhe nuk është mbështetur në burime të identifikueshme. Kompanisë së Shkëlqim Devollit i m’vishet në artikull se ka importuar grurë kancerogjen nga Serbia dhe se Devolli Corporation ka dëmtuar shtetin përmes mospagimit të doganave në vlerë prej 489,762.41 euro.

Ankuesi thotë se AVUK e as ndonjë organ tjetër në Kosovë nuk ka konstatuar se është bërë importi i grurit kancerogjen.

Sa i përket vendimit doganor që përmendet në aritkull, ai nuk ka të bëjë me importin e grurit, por për çështje tjera.

Andaj, KMShK konstatoi se me marrjen e prononcimit edhe nga pala tjetër, çështjet do të sqaroheshin për opinionin publik. Në këtë mënyrë do të krijohej një pasqyrë e qartë mbi çështjet për të cilat është shkruar. Këtë e kërkon edhe Kodi i Mediave të Shkruara.

Zyra e KMShK-së ka kërkuar nga Kosova Sot të dorëzoj fakte të prekshme se redaksia ka kërkuar prononcimin e palës tjetër siç e kërkon Kodi etik, por Kosova Sot nuk është përgjigjur.

Andaj, KMShK konstatoi se gazeta Kosova Sot ka shkelur Kreun II, Kreun IV, pika 3 të Kodit të Mediave të Shkruara.

Bazuar në atë që u tha më lartë, KMShK vendosi si në dispozitiv të këtij opinioni.

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës