24 December 2013

Opinion i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës ndaj ankesës së Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë kundër portalit “Indeksonline”

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, në mbledhjen e tij të mbajtur më 17 dhjetor 2013, pasi shqyrtoi ankesën Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë kundër portalit “Indeksonline” lidhur me artikullin: “Mini-Serbia në zemër të Kosovës” botuar më 1 nëntor 2013, dha këtë:
O P I N I O N
– Ankesa miratohet
A R S Y E T I M I
Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë i ka paraqitur ankesë Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës kundër portalit “Indeksonline” lidhur me artikullin: “Mini-Serbia në zemër të Kosovës” botuar më 1 nëntor 2013.
Ankuesi pretendon se artikulli në fjalë përmban komente ku përdoren shprehje denigruese me qëllim të lëndimit dhe fyerjes së një grupi mbi baza të përkatësisë etnike, duke dhënë disa shembuj konkretë nga teksti i botuar.
Pasi analizoi me kujdes ankesën, KMSHK gjeti se ajo duhet miratuar pasi në rubrikën e komenteve të lexuesve kishte shprehje të nxitjes së gjuhës së urrejtjes që biejnë ndesh me Kreun III të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës (Nxitja dhe Gjuha e urrejtjes). Në këto komente vërehet gjuha e urrejtjes, veçmas ndaj grupeve minoritare dhe të margjinalizuara për çka edhe njëherë KMSHK kërkon nga portalet që të përmbahen nga përdorimi i gjuhës së urrejtjes dhe të kenë kujdes të shtuar gjatë publikimit të komenteve të lexuesve të cilat shpeshherë kanë përmbajtje që biejnë ndesh me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
Bazuar në atë që u tha më lartë, u vendos si në dispozitiv të këtij opinioni.