7 June 2016

Opinion i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës ndaj ankesës së Kawa group kundër portalit Infokusi

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, në mbledhjen e tij të mbajtur më 31 maj 2016, shqyrtoi ankesën e Kawa group kundër portalit Infokusi lidhur me artikullin “Kawa group fajëson ministrinë për shkatërrimin e stadiumit ‘Adem Jashari’”, botuar më 11 maj 2016 dhe nxori këtë

 

O P I N I O N

  • Ankesa miratohet pjesërisht

A R S Y E T I M I

 

 

Në ankesë thuhet se “portali Infokusi ka bërë një shkrim për stadiumin Adem Jashari, se si ai është demoluar dhe vjedhur pas investimit nga qeveria e Kosovës prej 1 milion eurosh para ndeshjes së parë ndërkombëtare zyrtare të Kosovës kundër Haitit. Këto punime në stadiumin Adem Jashari i kemi kryer si kompani. Gjatë punimeve, atje kemi pasur mjaft probleme me vjedhjen e mjeteve të punës, dhe dëmtimin e punës që kryenim. Për këto probleme, në atë kohë patëm lajmëruar policinë e Kosovës, por edhe institucionet tjera relevante, sikur ministrinë dhe Komunën e Mitrovicës.

 

Ky problem ka vazhduar edhe pasi i kemi kryer punët. Ashtu siç kemi parë raporte të lajmeve nga mediat vendore, stadiumi dhe pjesët përbërese të tij, si teshatoret dhe banjot janë demoluar tërësisht. Kjo, sipas lajmeve ka ndodhur si pasojë e mungesës së një kujdestari, i cili ka munguar pasi zyrtarët e klubit të futbollit dhe atletikës nuk janë marrë vesh për këtë çështje.

 

Javën e kaluar, portali Infokusi ka bërë një raportim mbi dëmtimin e stadiumit dhe ky tekst ka qenë korrekt”.

 

Mirëpo, në ankesë thuhet se Kawa group asnjëherë nuk ka fajëusar ministrinë për shkatërrimin e stadiumit, por se këtë konstatim të pathënë nga ne, portali e ka vënë në titull.

 

KMShK, pasi shqyrtoi ankesën, gjeti se titulli i artikullit nuk përkon me tekstin dhe se është vënë nga redaksia e portalit ndonëse Kawa group këtë nuk e ka dekluar.

 

Andaj, anëtarët e pranishëm në mbledhje votuan se Infokusi ka bërë shkelje duke vënë në titull diçka që Kawa group nuk ka deklaruar.

 

Të gjithë anëtarët e pranishëm (14) votuan për këtë vendim, përpos njërit, i cili abstenoi.

 

Në këtë rast, është shkelur Kreu II (Raportimi i së vërtetës), pika 1 e Kodit të Mediave të Shkruara.

Bazuar në atë që u tha më lartë, KMShK vendosi si në dispozitiv të këtij opinioni.

 

 

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës