21 April 2017

Opinion i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës ndaj ankesës së Devolli Group kundër gazetës Kosova Sot

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, në mbledhjen e tij të rregullt të mbajtur më 28 mars 2017, shqyrtoi ankesën e Devolli Group kundër gazetës Kosova Sot lidhur me artikullin “Devollët në stilin e mafiozëve rus po zhvatin qindra miliona euro të qytetarëve” botuar më 26 dhjetor 2016, dhe nxorri këtë

O P I N I O N

Ankesa miratohet

A R S Y E T I M I

Në annkesë pretendohet se gazeta nuk ka kërkuar asnjë prononcim nga Devolli Group lidhur me një varg akuzash kundër kësaj kompanie të botuara në artikull nga ana e disa personave të anketuar.
KMShK, pasi shqyrtoi artikullin dhe ankesën, konstatoi se gazeta Kosova Sot ka pasur detyrim sipas Kodit të Mediave të Shkruara të kërkojë prononcimin e palës tjetër.

Në artikull botohen vetëm prononicmet e njërës palë.

KMShK ka kërkuar nga Kosova Sot që të argumentojë se gazeta në çfarëdo forme të mundshme ka kërkuar prononcimin e Devolli Group, por nga gazeta kjo përgjigje nuk ka arritur as pas një muaji.

Andaj, KMShK vendosi se në këtë rast është shkelur Kreu IV (E drejta për t’u përgjigjur), pika 3, e cila thotë: “gjatë raportimit dhe komentimit të një ngjarje kundërthënëse, mediat do të përpiqen t’i dëgjojnë të gjitha palët e përfshira”.

Bazuar në atë që u tha më lartë, KMShK vendosi si në dispozitiv të këtij opinioni.

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës